Shuarja e Papa Françeskut/ Kremtohet mesha në Kishën Katolike në Korçë

Pasditen e kësaj të enjte, në Kishën Katolike në Korçë, u kremtua Mesha e Shenjtë në nderim të Papës Françesku, i cili është thirrur nga Zoti për të hyrë në dritën e përjetshme të parajsës.
Pas meshës, u mbajt edhe një moment adhurimi, ashtu si sugjeron Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë. Besimtarët u mblodhën së bashku për të lutur për shpirtin e Papa Françeskut dhe për Kishën, në këtë moment reflektimi dhe falënderimi për jetën dhe shërbimin e tij të jashtëzakonshëm.
Dom Injacio, në fjalën e tij, falënderoi Zotin për dhuratën që ishte Papa Françesku, për udhëheqjen e tij të përvuajtur dhe të përkushtuar ndaj Kishës, edhe në ditët e fundit të sëmundjes së tij.
"Sot lutemi së bashku për shpirtin e Papa Françeskut, që zoti e ka thirrur nga kjo jetë për ta pranuar atë në dritën e parajsës. Falenderojmë zotin për dhuratën e jetës së tij që na e ka dërguar. Falenderojmë shërbimin e Papa Françesku për mënyrën që e ka drejtuar kishën tonë gjatë kësaj kohe, edhe në momentin e fundit të sëmundjes, ku deri në fund ai na ka zbuluar vërtet dashurinë e mëshirën e zotit", - tha Don Injacio.
Në këtë fazë të re për Kishën, lutjet dhe reflektimet e sotme janë një thirrje për të vazhduar rrugën që ai na tregoi, me shpresë dhe besim në udhëheqjen e Zotit.
"Ne jemi të thirrur për të pranuar këtë mesazh, këtë shembull të pastër e të sinqertë, që ai na ka dhënë, për të vazhduar në rrugën tonë me një shembull që ai na ka ofruar. E sidomos, të lutemi sot për shpirtin e tij e për kishën tonë, në këtë fazë që fillon një fazë e re sepse kisha mund të vazhdojë në hapat që ai na ka treguar për tu rritur gjithmonë në paqe, në dashuri, në besim. Për këtë arsye të lutemi sot!", - tha Dom Injacio.
Në përfundim të kremtimit të sotëm, Dom Injacio ftoi besimtarët që të vazhdojnë të luten për shpirtin e Papa Françeskut dhe për Kishën në këtë moment të veçantë. Të shtunën, me shpalljen e ditës së zisë për Papën, në Kishën Katolike në Korçë do të mbahet një tjetër meshë e shenjtë në nder të tij. Besimtarët ftohen të marrin pjesë për të shprehur mirënjohjen dhe lutjet e tyre për udhëheqësin e dashur shpirtëror, i cili me përulësi dhe dashuri shërbeu Kishën deri në fund.

