Shteti i mori pasuritë, po vendodhja? Qyno: SPAK e heton Ervis Martinaj si person të gjallë, prokuroria e Laçit si të vdekur

Gjashtë muaj pas zhdukjes pa adresë të biznesmenit Ervis Martinaj, prokuroria e Posaçme SPAK, ka sekuestruar 34 pasuri që dyshohet se posedoheshin prej tij apo familjarëve.

Gazetari i Ora News Elton Qyno deklaroi në "Ora e Betit" se bëhet fjalë për pasuri të cilat Martinaj i kishte kamufluar përmes familjarëve apo rrjetit të tij shoqëror.

"Gjykata ka vendosur sekuestro preventive e shtrirë më tepër te familjarët dhe rrethit shoqëror të Martinaj dhe jo pasuritë që ai i ka pasur në mënyrë të plotë. Janë pasuri që i ka kamufluar te persona të dytë apo të tretë. Ligji antimafia është vënë duke zbatuar një nga akuzat për të cilën Martinaj akuzohet nga SPAK që prej 17 majit 2021, akuzë që ka të bëjë me grupin e strukturuar kriminal. Jo më larg se dy javë raportuam për sekuestrim të pasurive të Florenc Çapaj".

Fati i tij mbetet ende mister, por Qyno thotë se SPAK po e heton si një person të gjallë.

"SPAK po e heton si një person që është gjallë dhe jo i vdekur. Ka indicie shumë të forta që është gjallë. Paralelisht prokuroria e Laçit e heton rastin e tij për zhdukje personi. Dy prokurori që hetojnë në linja të ndryshme. Mbaroi ultimatumi 100 ditor i kryeministrit dhe nuk keni një version zyrtar për fatin e Ervis Martinaj".

Qyno foli edhe për ish-prokurorin Llalla të dënuar me 2 vjet burg në Shqipëri, i cili mori statusin e azilantit politik në Itali.

"Pretendimet e tij janë vërtetuar nga gjykata civile në Romë.Janë certifikuar si të vërteta dhe i është dhënë e drejta të marrë pasaportën italiane. Fakti që është dënuar me 2 vjet burg për mosdeklarim pasurie është një situatë që e ka provuar dhe në Itali që është një përndjekje penale duke u suportuar dhe nga përndjekja e vazhdueshme politike që i është bërë jo vetëm nga faktori politik ndërkombëtar por dhe nga faktori politik shqiptar".

ervis martinaj

EMISIONET