“Shtëpi e çarë, shpresa e vrarë!” Familja Mirdita rrëzon propagandën me rindërtimin në Durrës. Prej tre vitesh në çadër
Gjurmët e rënda të tërmetit të 26 nëntorit të 2019 ndihen akoma në shumë zona të vendit. Në fshatin Shkafane të Ishmit në Durrës familja e Gëzim Mirditës prej tre vitesh nuk po gjen zgjidhje për shtëpinë e tyre e cila është bërë e pabanueshme nga tërmeti. Gjysma e familjes ka vendosur që të emigrojë duke kërkuar azil në Gjermani pasi jetesa në vendin e tyre u bë e pamundur.

Të çarat në këtë vilë të familjes së Gëzim Mirditës në Ishëm të Durrësit janë dëshmi që edhe pas 3 vitesh nga tërmeti i 26 nëntorit shumë familje po vuajnë ende pasojat e asaj lëkundje shkatërruese!
Shtëpia është shpallur e pabanueshme, e në këto kushte familja Mirdita u detyrua që për muaj të tërë të jetojë në çadër!
“Kam jetuar mbi një vit, afërsisht një vit e gjysmë, deri sa u gris çadra. I hynte uji brenda sa ta prknim pak fare atë”, shprehet kryefamiljari për mikrofonin e “Ora News”.
Kur shteti veç propagandës nuk ndërmori asnjë hap konkret për këtë familje, shpresa se e nesërmja do të jetë më e mirë u vra!
Shumica e anëtarëve të familjes vendosën të kërkonin azil jashtë vendit, si e vetmja mënyrë për të rindërtuar jetën nga fillimi!
“Djali është me tre fëmijë, se i kam pasur në shtëpi të dy çunat e martuar, pasi ata nuk kishin shtëpi ku të rrinin, dhe ndenjëm në çadër. Pastaj u detyrua të ikte azilantë, dhe as nuk di gjë fare për të se çfarë bëhet”, thotë ai.
Pranë rrënojave të shtëpisë kanë mbetur të zotët e shtëpisë, pa ndihma e pa të ardhura për të siguruar edhe një jetë minimale!
“Gjendja ekonomike e jona është “përtokë”. Me pak fjalë, se unë nuk marr pension, kam pas marrë Kemp për një vit”, thotë kryefamiljari.
Gëzim Mirdita dhe bashkëshortja e tij nuk dinë se ku do ta kalojnë këtë Vit të Ri, pasi edhe shtëpinë që kanë me qira duhet ta lëshojnë para natës së ndërrimit të viteve!
“Vetëm të më bëjë shtëpinë dhe jam mirë me shtetin. Nuk dua as punë dhe asgjë, vetëm të bëhet shtëpia e të futemi në të”, është dëshira e kryefamiljarit në fshatin Shkafane të Ishmit në Durrës, Gëzim Mirdita.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
