"Shqipëria vendi me numrin më të lartë të vdekjeve" mjeku: Qeveria të ndiqet penalisht për keqmenaxhimin e Covid-19
Mjeku, Erion Dasho nëpërmjet një lidhjeje direket me Skype foli për situatën e pandemisë së Covid-19 në vendin tonë.
Sipas mjekut qytetarët hezitojnë të vaksinohen, si pasojë e keqmenaxhimit të krizës së pandemisë në vendin tonë.
"Në Shqipëri qytetarët hezitojnë të vaksinohen, kjo vjen dhe si pasojë e gabimeve të mëdha që bëri qeveria në fillim, kur solli vaksinat e para në vend", tha mjeku në studion e emisionit të mëngjesit "Ditë e Re" në RTV Ora.
Ndër të tjera ai thotë se përgjegjësit për keq-menaxhimin e situatës pandemike në Shqipëri duhet të ndiqen penalisht nga organet kompetente, ashtu sikur po ndodh në botë, siç po vepron Brazili apo Franca.
"Ashtu sikur se Brazili po çon në gjyq presidentin, në Francë kanë paditur Ministren e Shëndetësisë penalisht, unë mendoj se personat përgjegjës për keq-menaxhimin e krizës së Covid në Shqipëri, që rezultoi në mijëra vdekje të parandalueshme, meritojnë plotësisht të shkojnë për ndjekej penale.
Më pas e gjykon gjykata se sa komplekse është përgjegjësia e tyre. Personalisht mendoj se ndjekja penale për drejtuesin e Ministrisë së Shëndetësisë, për anëtarë të caktuar të Komitetit të Ekspertëve , ndoshta dhe për kryeministrin Rama, do të ishte një detyrim minimal për një shtet që i thotë vetes shtet i së drejtës. Kemi pasur 16 mijë vdekje nga Covid, kemi pasur 11mijë vdekje shtesë. Jemi vendi me numrin më të lartë të vdekjeve për banorë në botë dhe kjo situatë nuk duhet të kalojë pa investigim dhe pa u analizuar nga organet e drejtësisë", u shpreh mjeku.



