Shpërndante doza k*nabisi në Vlorë, arrestohet 22-vjeçari

Policia e Vlorës ka arrestuar në flagrancë një 22-vjeçar, i dyshuar për shitje të lëndëve narkotike në qytet. Operacioni është zhvilluar nga shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
I arrestuari, shtetasi S. K., 22 vjeç, banues në Vlorë, është ndaluar në lagjen “Pavarësia”, ku gjatë kontrollit fizik i është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Në vijim të kontrolleve, policia ka ushtruar kontroll edhe në banesën e tij, ku është gjetur një tjetër sasi e së njëjtës lëndë narkotike, e dyshuar me qëllim shitjeje.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se 22-vjeçari e shpërndante lëndën narkotike në qytetin e Vlorës. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


