Shkodër: Vritet me silenciator ish-deputeti, Pashko Ujka, u qëllua teksa ishte me bashkëshorten

Ish-deputeti Pashko Ujka, njëherësh edhe ish-kryetar i komunës së Velipojës mbeti i vrarë pas një atentati me armë me silenciator pranë banesës së tij në Shkodër. 64-vjeçari të cilit më parë i janë bërë edhe dy atentate, ka marrë një plumb në shtyllën kurrizore të cilit nuk i mbijetoi dot në spital ndërsa dëshmitare e gjithë ngjarjes ka qenë edhe bashkëshortja e tij. Policia po heton për konflikte personale por edhe sulm për shkak të detyrave që Ujka ka mbajtur në të kaluarën si deputet dhe si i zgjedhur vendor në Velipojë.

Ish-deputeti Pashko Ujka, njëherësh edhe ish-kryetar i komunës së Velipojës, është vrarë me armë pasditen e të hënës, 29 nëntor në Shkodër pranë banesës së tij.

Policia tha se ngjarja ndodhi në orën 18:15 pranë banesës së ish-deputetit të Aleancës Demokratike dhe më pas i PDK-së në lagjen Vasil Shanto, ku viktima ka qenë bashkë me të shoqen. Sipas dëshmitarëve dhe policisë, autorët përdorën një armë me silenciator ndërsa bashkëshortja e 64 vjeçarit e kuptoi se ai ishte qëlluar vetëm pas Ujka u rrëzua përtokë.

Menjëherë pas mbërritjes së policisë në vendin e ngjarjes, ish-deputeti është dërguar në spital ku disa orë pas ngjarjes, ndërroi jetë pasi nuk arriti t'i mbijetojë plagës së marrë e cila i kishte prekur  shtyllën kurrizore.

Viktima ka shërbyer edhe si kryetar komune në Velipojë në vitet 2011-2015 ndërkohë që shërbimet e Policisë së Shkodrës kanë nisur hetimet në lidhje me ngjarjen dhe kanë kryer krehjen e  zonës  me qëllim kapjen e autorit.

Nga ana tjetër policia ka njoftuar edhe prokurorinë e Shkodrës e cila ka marrë drejtimin e hetimeve për zbardhjen e ngjarjes.

Pistat e hetimit në lidhje me ngjarjen, kanë të bëjnë me konflikte personale të ish-deputetit Pashko Ujka, por edhe detyra e tij si kryetar komune në Velipojë, ku mësohet se ka pasur disa denoncime  për çështje pronash.

Në vitin 2005 Pashko Ujka është zgjedhur deputet me aleancën demokratike ndërsa në 2007 ka kaluar me Partinë Demokristiane.

Në vitet 2008-2009 ai ka qenë pjesë e grupit parlamentar të PD. Në vitin 2016, Pashko Ujka ka kërkuar në Gjykatën Administrative shfuqizimin e dënimit të vendosur ndaj tij me gjobë nga Inspektoriati Shteteror i Mjedisit Pyjeve dhe Ujërave, Dega Rajonale Shkodër, por kjo kërkesë e tij është hedhur poshtë nga togat e zeza.

EMISIONET