"Një parlament ilegjitim merr një vendim antikushtetues, raport i pastër politik "

"Një parlament ilegjitim merr një vendim antikushtetues, raport i

Një parlament ilegjitim, jopërfaqësues, njëpartiak, i cili duhet të ishte shpërndarë 1 muaj para zgjedhjeve ngre një komision hetimor në kundërshtim me ligjin dhe merr një vendim antikushtetues për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Pas një periudhe hetimi qesharak, me proçedura antiligjore, duke u përpjekur në mënyrë dëshpëruese për të prodhuar shkelje të rënda aq sa të justifikonin shkarkimin e kreut të shtetit, përfundoi dje me një raport absurd, që vetëm fakte e prova për shkelje të rënda të Kushtetutës nuk parashtroi.

Ishte një raport i pastër politik, i bazuar në opinione dhe deklarata të kreut të shtetit dhe asnjë vendim, dekret apo veprim të tij, që të kishte sjellë si pasojë shkeljen e rëndë të aktit themeltar të vendit.

Ky akt i jep goditjen e fundit rendit kushtetues dhe e konfirmon vendin në një regjim parti-shtet.

Nëse do të kishte pasur vërtet një shkelje të rëndë të Kushtetutës, të jeni te bindur se ajo do ishte e qartë për opinionin publik, për juristët, analistët dhe çdo qytetar shqiptar.

Akti i djeshëm ishte një rast i papreçedent për vendin, por dhe për shume vende evropiane, pasi nuk ka raste të ngjashme në Evropë që kreu i shtetit të shkarkohet për opinionet apo qëndrimet e tij gjatë ushtrimit të funksionit publik.

Padyshim, Presidenti ka qenë i vetmi institucion legjitim në vend dhe ka kthyer mbi 60 ligje antikushtetuese, që mund të kenë shqetësuar maxhorancën, por detyra e tij ka qenë dhe është mbrojtja e Kushtetutës dhe e së mirës publike.

Gjykata Kushtetuese ka tashmë një sfidë për të demonstruar paanësi, profesionalizëm dhe gjykim të drejtë, pasi vendosja e shtetit të së drejtës, balancës se pushteteve dhe demokracisë jane sfida që i shërbejnë vendit dhe të ardhmes së tij evropiane.

*Shënim: Ky koment u postua nga Erisa Xhixho në rrjetin social Facebook 

EMISIONET