Shiu përmbyt lagjet e Tiranës, banorët: Nëse rruga nuk shtrohet do të bojkotojmë zgjedhjet
Reshjet e shiut që përfshinë vëndin tonë të dielën i kthyen lagjet e kryqeytetit pothuajse të pakalueshme.
Prindërit në rrugën Besim Alla, në Misto Mame, detyrohen që ti mbajnë fëmijët në krahë për të kaluar.
"Kam 10 vjet që banoj këtu, kanë 20 vjet që janë bërë pallatet, kjo është gjendja. Kur nuk ka shi ka pluhur."
Një fëmijë thotë se s’ka ku të luajë pasi shiu i së dielës e bëri lagjen të pakalueshme.
"Rruga është bërë plot me ujë. Ta rregullojnë rrugën, ta bëjnë të mirë."
Me lutje në drejtim të kryebashkiakut kërkojnë që të marrë masa pasi një vesë shi i ktheu gropat në pellgje me ujë.
"Ju lutem, ju lutem! I lutem zotit kryetar, ti ulem në gjunjë, pavarësisht pse e ka për detyrim që ta bëjë këtë rrugë sepse ne si banorë japim taksën. I kemi dhënë votën për të qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës por ai nuk e ka justifikuar. Haram i qoftë ajo votë që ka marrë nga këtu."
Madje banorët në rrugën Besim Alla në Kombinat thonë se nëse rruga nuk shtrohet ata do të bojkotojnë zgjedhjet.
"Në rast se nuk do të shtrohet para zgjedhjeve, pra në këtë rrugë nuk do të bëhet investimi, ne do të bojkotojmë zgjedhjet në mënyrë masive."
E njëjta situatë eshtë edhe në rrugën Loni Lingori në Astir ku pak shi e ktheu lagjen në të pakalueshme. Me këtë situatë banorët ndeshen në stinën e vjeshtës dhe dimrit ndërsa deri në asfaltimin e rrugës atyre ju duhet që të luten që të mos bie shi.


