Rruga e re Shirokë-Zogaj, nis së shpejti
Brenda pak javësh pritet të nisë punë për ndërtimin e rrugës së re Shirokë Zogaj, që parashikohet ti hap zhvillim turizmit buzë liqenit të Shkodrës. Banorët, pasi u njohën me projektin, kërkuan të mos përsëritet historia e qendrës së Shirokës ku problemet u shfaqën një vit pas përfundimit të investimit të zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Rruga e shumëpritur Shirokë – Zogaj, me ndikim të drejtëpërdrejtë në zhvillimin e turizmit në bashkinë Shkodër pritet të nisë brenda pak javësh.
Sipas projektit rruga e re do të jetë 6 metra e gjërë, me korsi biçiklete dhe aksese në zonat e plazhit, ndërsa shmang qendrën e Zogajve, duke mos prishur shtëpi apo objekte të tjera shërbimi.
"Ky është një projekt infrastrukturor që nuk prek fshatin Zogaj," tha Aljon Koçkiçi, Drejtor i planifikimit, Bashkia Shkodër.
Banorët kërkuan që të mos ndiqet e njëjta rrugë si me investimin e qendrës së Shirokës nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ku defektet janë shfaqur pa u mbushur viti i përfundimit të investimit.
"Vjen tursti, nuk ka asnjë lloj aksesi të parkojë apo të bëjë një ndërrim makinash në qendër të Shirokës në 12:00 të ditës. Të prishet mozaiku akoma pa u bërë prezantimi i rrugës është krim," thonë ata.
Përmbyllja e unazës së transportit liqenor me hapjen e pikës doganore të përbashkët Zogaj – Skje, janë dy projekte të tjera më ndikim të drejtëpërdrejtë në zhvillimin e turizmit në zonë.
