Sherr për mirëmbajtjen e makinës së blinduar/ Fitues i tenderit 3.5 mln lekë, operatori me ofertën më të shtrenjtë
Tenderi i qeverisë shqiptare për mirëmbajtjen e makinës së blinduar në pronësi të shtetit ka futur në konflikt kompanitë pjesëmarrëse. Dy subjektet e përjashtuara kanë bërë ankim në Agjencinë e Prokurimit Publik në lidhje me procedurën me fond rreth 3.5 milionë lekë. Ankuesit pretendojnë se kompania e shpallur fituese, e cila paraqiti ofertën më të shtrenjtë, nuk përmbush kriteret dhe nuk mund ta ofrojë shërbimin e kërkuar.
Qeveria shqiptare do të shpenzojë më shumë se 3 milionë e 499 mijë e 710 lekë për të realizuar servisin e automjetit të blinduar.
Prokurimi i hapur prej Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare ka hasur në ankesat e kompanive që kanë shprehur interes për të mbuluar kërkesat për këtë mjet.
Janë dy kompani që kanë kërkuar rishikimin e vendimit për përjashtimin nga procesi për shkak të kritereve.
Në fakt rezulton se në garë kanë marrë pjesë katër kompani dhe fitues ka rezultuar Power Industries me ofertën e dhënë 3 milionë e 490 mijë lekë, pra 9700 lekë se fondi limit i qeverisë.
Po ashtu dy nga kompanitë e skualifikuara prej garës kanë dhënë një ofertë më të ulët se fituesi, madje një prej tyre kërkoi vetëm 2 milion e 496 mije lekë.
Pavarësisht ankesave, autoriteti tenderues ka vazhduar me procedurat, që ka përfunduar më tej në dyert e prokurimeve publike.
Shkak për skualifikimin duket se është bërë mungesa e skemës së montimit për të gjitha pjesët e këmbimit si dhe skema e montimit të gomave.
Po ashtu pretendohet se dhe subjekti fitues nuk i plotëson kriteret e kualifikimit.
Megjithatë vetëm pas shqyrtimit të dokumenteve do të bëhet e ditur dhe fati se cila kompani do të marrë pësipër për të realizuar servisin e makinës së blinduar të qeverisë shqiptare.
Ky automjet përdoret në raste të veçanta për lëvizjen e personaliteteve të larta për arsye sigurie.


