Serbia u refuzon katër ministrave të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginë të Preshevës

Serbia u refuzon katër ministrave të Kosovës kërkesën

Shteti i Serbisë u ka refuzuar kërkesat për vizitë në Luginën e Preshevës katër ministrave të Kosovës, Liburn Aliut, Arbërie Nagavcit, Hekuran Muratit dhe Hajrullah Çekut. Lajmi bëhet me dije nga Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu i cili shprehet se ndalimi i ministrave kosovarë është bërë pa asnjë arsyetim nga ana e Beogradit.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ishte njeriu që njoftoi se Serbia u ka refuzuar atij dhe 3 kolegëve të kabinetit qeveritar “Kurti” kërkesat pak para nisjes, dhe pa asnjë arsyetim.

“Po planifikonim të fillonim vizitën dy ditore, në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Vizita jonë, nga autoritetet në Beograd, u refuzua, pa asnjë arsyetim pak para nisjes së delegacionit tonë”, ka shkruar ministri Aliu në rrjetet sociale.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cila është shprehur se refuzimi i vizitës së katër ministrave dëshmon se Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë e dialogut në Bruksel.

Sinani tha se Beogradi po pengon çfarëdo komunikimi të shqiptarëve të Luginës me qeverinë e Kosovës.

“Përveç se Serbia nuk ia lejon shqiptarëve përdorimin zyrtar të simboleve kombëtare dhe një varg të drejtash tjera që i gëzojnë pakicat kudo në botë, sot Beogradi po shpërfaq se i pengon çfarëdo komunikimi dhe ndihme nga Qeveria e Kosovës. Shpreh falenderimin tim të përzemër për ministrat Aliu, Nagavci, Murati e Çeku që zgjodhën Festën e Flamurit për të qenë pranë Luginës së Preshevës. Rasti i sotëm duhet të jetë kambanë për autoritetet më të larta ndërkombëtare, sidomos Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian ndaj çështjes së Luginës së Preshevës”, - shprehet kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.

EMISIONET