Sekuestrohen 7 kg kokainë në portin e Durrësit, ishte fshehur në kontejnerin me prodhime deti që vinte nga Ekudadori
Nuk ka të ndalur kokaina nga Ekuadori drejt Shqipërisë.
7 kilogramë të tjera u sekuestruan këtë të premte në Portin e Durrësit.
Droga ishte e fshehur kapakëve të ventilimit të një kontejneri, që kishte mbërritur nga Amerika Latine për llogari të firmës “Fish Co Tirana”, me qendër në Tiranë.
Skema ishte identike me atë të rasteve të viteve të fundit, por ndryshim bën vetëm fakti se trafikantët kanë kaluar nga bananet tek prodhimet e detit.
Autoritetet shqiptare kishin marrë informacion nga DEA Amerikane të cilët për të kontrolluar të gjithë operacionin i kishin vendosur ngarkesës një GPS, çka u mundësonte të kishin dijeni për vendndodhjen në çdo kohë.
Pas mbërritjes në Durrës, kontejneri ishte vendosur në zonën e riskut.
Kur përfaqësuesi i kompanisë “Fish Co Tirana”, 35 vjeçari Denis Doda, u paraqit me dokumentet për të tërhequr ngarkesën përfundoi në pranga në kushtet e flagrancës.
Ky i fundit mësohet se është bashkëpronar edhe i dy kompanive të tjera me objekt import-eksportin e peshkut.
35 vjeçari është dërguar në Policinë e Durrësit ku në dëshminë e parë mësohet se ka mohuar përfshirjen në tentativën e trafikut të kokainës.
Burimet thonë se Denis Doda ka deklaruar se s'ka dijeni për drogën.

Gjatë muajit korrik, në portin e Durrësit u kapën 25.5 kilogram kokainë e ndarë në tre kontejnerë të kompanisë "Alba Exotic fruts".
Edhe për në atë rast ishte DEA amerikane që sinjalizoi autoritetet shqiptare, çka konfirmon shqetësimin për sasitë e kokainës që po tentohet të trafikohet nga Amerika Latine drejt Shqipërisë.
Në 5 muajt e fundit vetëm në Portin e Durrësit autoritetet kanë sekuestruar 1 tonë kokainë.

