Sekja: Shkodrën e përmbyt shkarkimi i Hidrocentraleve; Gjoni: Në Lezhë, qytetarët po heqin ujin me kova nga banesat e bizneset
Alban Sekja, drejtor i bujqësisë në bashkinë e Shkodrës, bën përgjegjës KESH për përmbytjet në Shkodër.
Për Ora News me gazetarin Arnold Kariqi, ai thotë se është e patolerueshme që portat e HEC-eve hapen në pikun e reshjeve.
Sekja: Situata në Shkodër nuk është aspak e mirë. Në tre muaj tre përmbytje rresht, sipas parashikime kjo përmbytja e fundit do të jetë më e madhe. Historikisht Shkodrën e përmbyt shkarkimi i Hidrocentraleve, keqmenaxhimi i tyre. Është e patolerueshme që shkarkimet nuk nisin ditë përpara por në pikun e reshjeve. Është një keqdashje. Nuk e kanë problem për të përbytur banorët e Nënshkodrës. Shirat kanë luajt pak ose aspak rol. Bëjnë dëm dhe nuk dëmshpërblejnë, po dekurajojnë komplet fermerët me e mbjell tokën.
E njëjta situatë edhe në Lezhë por jo nga HEC-et. Petrit Gjoni, ekspert i bujqësisë, thotë se fondet për sistemin e kullimit janë të papërfillshme.
Gjoni: Në bashkinë Lezhë situata është problematike. Është përmbytur një pjesë e konsiderueshme e qytetit, shtretërit e lumenjeve janë mbushur me inerte, uji po përmbyt sipërfaqe të tëra të tokave bujqësore. Para disa kohësh patëm përmbytje në Zadrimë, i bëmë thirrje qeverisë të parashikojë fonde për vitin e ardhshëm sa i përket sistemit të kullimit por ra në vesh të shurdhër pasi fondet janë të barabarta me vitin e shkuar. Do të vazhdojmë të kemi përmbytje. Sot kemi të përmbytur zonën e Manatisë dhe Zejmenit.Po të vish në qytetin e Lezhës banorët i ke duke nxjerrë ujë me pompa dhe kova jashtë banesave dhe bizneseve.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

