Rritet numri i vizitave neurologjike/ Stefanidhi: Ndërgjegjësimi, çelësi për parandalimin e dëmeve afatgjata neurologjike
Në Tiranë po rritet ndërgjegjësimi për shëndetin neurologjik, por ende ka shumë pacientë që neglizhojnë simptomat dhe vonojnë paraqitjen tek mjeku specialist.
Mjekët neurologë theksojnë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm për të parandaluar komplikacionet dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës, sidomos tek grupmoshat e treta, ku demencat dhe çrregullimet e kujtesës janë në rritje.
Në Tiranë është vënë re një rritje e numrit të vizitave neurologjike, megjithatë, ende ka pacientë që neglizhojnë simptomat, duke i justifikuar ato me moshën ose sëmundje të tjera kronike si diabeti apo tensioni i lartë.
Ladjola Stefanidhi, mjeke neurologe në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve nr. 1 në Tiranë, thotë se grupmoshat më të prekura janë të moshuarit.
‘’Grup moshat e treta ku demencat, çrregullimet e kujtesës apo çrregullimet e vëmendjes ku është vënë re një rritje e numrit të vizitave.
Ka edhe nga ato pacientë që nuk i vlerësojnë ato por duke i justifikuar me efektin moshë apo me sëmundje të tjera shoqëruese dhe kjo gjë e komplikon për tu paraqitur sa më herët tek mjeku.
Një diagnozë e hershme çon në një efikasitet’’ .
Mjekja neurologe sugjeron për kujdes pasi shëndeti neurologjik është i ndërlikuar dhe simptomat shpesh janë të fshehura ose ngatërrohen me probleme të tjera shëndetësore.
Mjekja apelon për ndërgjegjësim dhe reagim të shpejtë në rast të çdo shqetësimi.
Sa më herët të kërkohet ndihma, aq më të mëdha janë mundësitë për trajtim efektiv dhe parandalim të dëmeve afatgjata.

