ByPass-i i Rrugës së Arbrit rrezik në verë e bllokim në dimër
E përuruar me nxitim, Rruga e Arbrit është degraduar akoma pa përfunduar. ByPassi në Murrizë, është segmenti më i vështirë dhe pasigurtë veçanërisht gjatë dimrit, që tashmë ka nisur.
ByPassi i Rrugës së Arbrit që kalon nga fshati Bastar Murrizë i Tiranës në Xibër-Murrizë të Klosit, mbetet një segmend i vështirë dhe i pasigurtë për drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë nga Dibra drejt kryeqytetit ose anasjelltas.
“Nuk ka siguri. Rruga është bërë gropa, gropa, kur udhëton, si në varkë,” thonë qytetarët.
Kjo është një pjesë e dëmtuar e rrugës në fshatin Bastar, të Tiranës.
Asfalti është çarë, e një pjesë është fundosur dhe po rrëshqet.
Rruga është dëmtur në një pikë me fushëpamje të kufizuar, por sinjalistika e vetme që e paralajmëron rrezikun, janë këto gurë.
“Është skandal, me pak fjalë.
Nuk e shikon ministrja, se po ta shohë nuk ka pse ta lënë kështu. Kur ndodhin aksidente, u vënë fajin shoferave,” thonë qytetarët.
Rreziku rritet tashmë që kemi hyrë në stinën e dimrit.
Vitin e kaluar, rruga bllokohej në vazhdimësi nga reshjet e dëborës apo rrëshqitjet e dherave.
Drejtues mjetesh dhe udhëtarë, kërkojnë që firma koncensionare të marrë masa në mënyrë që situatat kaotike të mos përsëriten.
“Sidomos periudha e dimrit është shum e vështirë, ka luhatje.
Me bërjen e tynelit ndoshta bëhet më mirë, se me ByPass vështirë është,” thonë ata.
Për shkak të problematikave dhe cilësisë së dobët të punimeve, siç tregojnë drejtuesit e mjeteve aksidentet në By Passin e Rrugës së Arbrit janë të vazhdueshme, ku fatmirësisht nuk kanë shkaktuar viktima.
