Rikthehen zjarret/ Vatra të reja në Kolonjë, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

Një tjetër vatër zjarri është shfaqur pasditen e sotme në brendësi të Parkut Natyror të Gërmenjit, në afërsi të fshatit Shelegur në bashkinë Kolonjë, duke rrezikuar zonat e mbrojtura dhe bizneset përreth.
Pamjet e siguruara nga vendngjarja tregojnë përmasat e zjarrit, i cili po përhapet me shpejtësi në një zonë me dendësi të lartë pyjore.
Vatra të tjera aktive janë konstatuar gjithashtu edhe pranë piramidave kufitare 13-14, në kufi me Greqinë.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme dhe të koordinuara nga shërbimi zjarrfikës i bashkisë Kolonjë, Forcat e Armatosura, Shërbimi Pyjor, dhe Agjencia e Zonave të Mbrojtura (ADZM), situata mbetet e vështirë për shkak të terrenit të thepisur dhe erërave që favorizojnë përhapjen e flakëve.
Sipas burimeve zyrtare, policia e komisariatit të Ersekës ka shoqëruar disa persona që dyshohet se kanë në përdorim kullotat pranë zonës së përfshirë nga flakët.
Dyshimet paraprake janë se zjarret mund të jenë të qëllimshme.
Bashkia Kolonjë ka reaguar përmes një thirrjeje publike, duke kërkuar angazhim qytetar për mbrojtjen e zonave të mbrojtura, si dhe vendosjen përpara drejtësisë të autorëve të mundshëm që qëndrojnë pas zjarrvënieve.

