Rikthehen shifrat 'alarmante' të të infektuarve me Covid në Fier e Vlorë, dyshime se mbizotëron varianti Delta

Pasi 3-mujori i dytë i këtij viti solli një rënie të madhe të të infektuarve me koronavorusin Covid-19, Vlora po i rikthehet shifrave alarmante të vitit 2020.

35-40 % e të testuarve po rezultojnë pozitiv dhe sipas shefit të Epidemiologjisë në Vlorë, Agron Bashllari, kjo gjë po ndodh për shkak të fluksit të turistëve që vizituan qytetin bregdetar gjatë verës.

"Kuptohet që me sezonin veror gjë të cilën ne e prisnim, pra fluksi i madh i njerëzve dhe duhet të themi që këtë vit ka pasur një numër të konsiderueshëm të pushuesve. Kjo bëri të mundur që të shtohet numri i personave pozitivë dhe rrjedhimisht edhe rritja e rasteve me Covid," tha ai.

Nga rreth 100 mijë doza vaksinash që janë administruar, rreth 90 mijë tanimë janë injektuar në popullatë.

"Ka fluks pacientësh, çdo ditë vaksinohen. Janë edhe dozat e dyta, por edhe të rinjtë janë shumë të interesuar pasi duan të frekuentojnë auditoret."

Interes i lartë për vaksinën këto ditë paraqitet edhe në Fier.

"Po presim në radhë, numri është 105."

"Pfizer, është doza e parë."

Qe nga fillimi i procesit te vaksinimit janë vaksinuar mbi 97 mijë persona në këtë qark.

Nga shifrat zyrtare të ministrisë së Shëndetësisë, rezulton se deri të premten në Vlorë ka 883 persona të infektuar me koronavirus, ndërsa në Fier 750. Dyshimet janë se varianti Delta mbizotëron në të dy qarqet./OraNews/

EMISIONET