Rikonstruksion 3 vite pas tërmetit, nisin riparimet në shkollën "Emin Duraku" në prag të vitit shkollor

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor Bashkia Tiranë ka vendosur të rikonstruktojë shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku”.

Vendimi është marrë në 24 gusht por drejtuesit e këtij institucioni dhe prindërit janë njoftuar përmes kësaj shkrese vetëm në datën 31 të muajt të shkuar.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Nxënësit do të duhet të marrin mësim në dy shkolla të tjera.

Fëmijët e arsimit fillor nga klasa e parë në të pestën do të zhvillojnë mësim pasdite në shkollën “Sabaudin Gabrani” ndërsa nxënësit nga klasa e gjashtë në të nëntën do të transferohen në shkollën “Vasil Shanto”.

Vendimi ka shkaktuar pakënaqësi te prindërit.

Disa kanë nisur procedurat e çregjistrimit të fëmijëve nga shkolla Emin Duraku për t`i regjistruar në institucionet që janë më afër vendbanimit të tyre.

"Tani po shkoj të marr dëftesën dhe do të bëj aplikimin në e-albania.

Kjo përbën problem se i bie që fëmijët të transferohen, të kalojnë pasdite. Djali im pasdite ka stërvitje," thonë prindërit.

Të tjerë thonë se vendimi i ka gjetur të pa përgatitur pasi askush nuk është konsultuar me ta.

"Nesër do të marr përgjigjen përfundimtare pasi edhe këta nuk kishin informacion të plotë," tha një tjetër prind.

Në ditët në vijim prindërit kanë njoftuar se do të nisin një peticion për të kërkuar që fëmijët të zhvillojnë mësim pranë shkollave ku ata banojnë siç mund të jetë “Edith Durham” apo “Dëshmorët e Lirisë”.

Shkolla "Emin Duraku" ishte një prej institucioneve arsimore që pësoi dëme nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 por për t`i riparuar ato Bashkia Tiranë kujtohet pas tri vitesh dhe në prag të nisjes së procesit mësimor.

EMISIONET