“Revolucioni” i Berishës: Hiqni dorë nga Basha, ai është turp i Shqipërisë, e pret vrima e miut!

Sali Berisha nuk do të ndalë takimet dhe protesta pa larguar Lulzim Bashën dhe marrë nënkontroll selinë blu. Për të arritur këtë objektiv, nga Shkodra ai shprehu nevojën për mbështetjen e demokratëve që përkrahin Bashën dhe emigrantët. ish kryeministri kishte edhe një mesazh për ndërkombëtarët, duke u bërë të qartë se revolucioni i tij nuk do të ndalet ndaj asnjë lloj pengese.

Pas protestës së 8 janarit në selinë blu, ish kryetari i PD Sali Berisha ka nisur takimet me demokratët për t’i bindur ata që të ndjekin rrugën e tij, atë që ish/kryeministri e quan revolucion.

Dhe për t’ia arritur qëllimit, largimin përfundimtar të Lulzim Bashës nga drejtimi i opozitës, Berisha, nga kryeqendra e Veriut ka kërkuar edhe ndihmën e mbështetësve të shefit të selisë blu.

Berisha: U drejtohem të gjithë atyre demokratëve, që akoma në mënyrën më të pabesueshme dëshmojnë mbështetjen më të vogël për Lulzim Bravën, hiqni dorë prej tij. Hiqni dorë, se ai është turpi i dheut, turpi i historisë. U them deputetëve të Shkodrës, bashkohuni me qytetin tuaj. Ndahuni nga Lulzim Basha, se atë e pret vrima e miut nga ky revolucion që nuk ka të ndalur. 

Basha peng i Edi Ramës, kjo është karta politike e Sali Berishës për të bindur demokratët skeptikë që ende nuk i janë bashkuar lëvizjes kundër ish të besuarit të tij.

Berisha: Së fundmi ai vendosi në kontroll të plotë ish-kreun e opozitës. Ne jemi para një situate të cilën vetëm revolucioni, guximi, vendosmëria juaj do ti japë përgjigjen më të merituar. Shpesh herë kam deklaruar se ky revolucion është i njëjtë me atë të vitit 1991. 

Pavarësisht qëndrimit të tyre, Sali Berisha ua bëri të qartë ndërkombëtarëve, se nuk do të ndalet pa marrë nën kontroll selinë e PD.

Berisha: Ne atë seli do ta çlirojmë nga bandat dhe blindet e turpshme. Mos keni mëdyshje, kurrë ne nuk japim pluralizmin, demokracinë, PD-në, nuk shkelmojmë mbi interesat e Shqipërisë.

Basha dhe Rama, sipas Berishës po vënë në rrezik demokracinë e vendit, prandaj ai i bëri thirrje edhe shqiptarëve që ndodhen në emigracion për t’i rrëzuar ata dhe për të marrë në dorë fatin e vendit.

Berisha: Sot kemi një narko-kryeministër që në një vit ka arrestuar 37 mijë shqiptarë, për çështje që nuk arrestohen në asnjë vend të Evropës, por kërkon të ndjellë frikë e terror. Sot kemi një narko kryeministër që largon të rinjtë që të mos mbushen rrugët kundër tij. Shqiptarët që mbështesin Bashën, tallen me lirinë, me vlerat e pluralizmit, me pluralizmin politik në Shqipëri.

31 vjet pas themelimit të PD, partia më e madhe opozitare në vend është ndare në dy kampe, me Lulzim Bashën që mban selinë dhe nga ana tjetër me Sali Berishën që pretendon se ka mbështetjen e bazës demokrate.

EMISIONET