Reshjet e dendura/ Vjosa rrit prurjet, banorët e Kashishtit në alarm: Rrezikojmë të humbasim gjithçka për pak minuta

Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shtuar ndjeshëm prurjet e lumit Vjosa, duke shkaktuar rrëshqitje të tokës dhe rrëmbim të sipërfaqeve bujqësore e pemëve në fshatin Kashisht, njësia administrative Frakull. Për banorët, situata është tejet e rëndë, pasi lumi ka avancuar rrezikshëm drejt banesave.
Banorët shprehen për Syri TV se, lumi është vetëm 10 metra larg shtëpive të tyre. Familjet që jetojnë pranë brigjeve të lumit thonë se frika është e përditshme. Ata tregojnë se një dalje minimale e Vjosës nga shtrati do të mjaftonte që uji të përpinte shtëpitë, bizneset dhe tokat e tyre brenda pak minutash.
“S’kemi asnjë mbrojtje. Penelet e para 10 viteve i mori lumi sepse ishin bërë me cilësi të dobët. Tani rrezikojmë të mbetemi pa banesa,” – shprehen banorët.
Sipas tyre, drejtuesit e njësisë administrative i kanë njoftuar të ndjekin situatën me kujdes, por kjo nuk i qetëson aspak.
“Nëse del lumi nga shtrati, pasuria jonë zhduket brenda minutave. Vetëm njoftime nuk na duhen, por masa konkrete,” – thonë banorët e shqetësuar.
Reagimi i njësisë administrative Frakull
I kontaktuar nga alb365, drejtuesi i njësisë administrative Frakull, Emiljano Braka, konfirmoi se situata është në monitorim të vazhdueshëm. Ai deklaroi se janë bërë kërkesa zyrtare për ndërtimin e peneleve të reja mbrojtëse dhe se aktualisht pritet miratimi i buxhetit për ndërhyrjen.
“Njoftimi u është bërë banorëve. Ne kemi kërkuar ndërtimin e peneleve dhe jemi në proces miratimi të buxhetit,” – tha Braka.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente
Mes frikës dhe pasigurisë, banorët e Kashishtit i bëjnë thirrje autoriteteve të ndërhyjnë sa më shpejt për ndërtimin e mbrojtjeve të reja, përpara se Vjosa të shkaktojë dëme të pariparueshme.
Përfaqësues të pushtetit vendor dhe drejtori rajonale u mblodhën sot në një takim urgjent në Prefekturën e Fierit për të raportuar situatën e reshjeve. Struktura të ndryshme janë angazhuar për kontrollin e kanaleve kulluese dhe argjinaturave, me qëllim përballimin e vërshimeve të mundshme të lumenjve Shkumbin, Vjosë, Seman dhe Gjanica.
Inxhinieri i Bordit të Ujitjes dhe Kullimit, Evarist Koliçi, deklaroi se sistemi kullues është në gjendje të mirë dhe punonjësit janë në gatishmëri. Reshjet kanë qenë të lehta, por era e fortë ka shkaktuar defekte në rrjetin elektrik. Deri tani janë riparuar 13 fidera, ndërsa vijon puna për 7 të tjerë.
Prefekti i Fierit, Anduel Xhindi, kërkoi gatishmëri maksimale dhe reagim të koordinuar në rast përkeqësimi të situatës.

