Rrëshqitja e gurëve në Shëngjin, Ndreu: Plan evakuimi i banorëve, prita në male
Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka folur për masat që do merren nga Bashkia pas incidentit me masivin shkëmbor, që për pak do ishte kthyer në tragjedi, nëse do kishte njerëz brenda shtëpisë.
Incidenti ndodhi sot 24 dhjetor, rreth orës 11 të mëngjesit.
Ndreu thotë se pikë së pari Bashkia do kontrollojë situatën e shtëpive dhe nëse është e nevojshme do evakuojnë banorët në një vend tjetër.
Ai thotë se përgjegjësia bie mbi supet e Bashkisë, e cila do fillojë verifikimin e zonës për të parë nëse ka edhe masivë të tjerë shkëmborë që mund të përbëjnë rrezik për shtëpitë e zonës.
Pjerin Ndreu: "Kjo ndodhi pikë se pari na ve neve para përgjegjësisë që ta shikojmë me vëmendje situatën këtu , duke parë shtëpinë, ta riparojmë që të bëhet e banueshme, ose të akomodojmë personat në një vend tjetër deri sa ne të bëjmë inspektimet e duhura. Masat e para që do merren është bërja e raportit të emergjencave dhe të ndërhyjmë në riparimin e menjëhershëm të shtëpisë.
Do të bëjmë verifikimin e gjithë banesave që janë përreth për të parë nëse janë të legalizuara apo me çfarë dokumentesh janë. Do presim raportin e emergjencave për shkak edhe të një situate tjetër që mund të vijë në të ardhmen dhe mund të shkojmë deri te evakuimi i të gjitha banesave në këtë zonë të rrezikshme.
Nga ana tjetër na duhet ende një projekt për të bërë disa prita siç janë bërë në rrugën që vijnë në Shëngjin për të ndaluar tragjedi të mundshme. Pra ka disa masa që do vijnë shkallë më shkallë por që duhet të kemi në qendër mbrojtjen e jetëve të njerëzve."
Ndër të tjera Ndreu pranon faktin se Bashkia nuk ka marrë masa për rrezikun e masivëve shkëmbor deri më sot.
Kryebashkiaku thotë se zona është një zonë e rrezikshme në përgjithësi.
Pjerin Ndreu: "Duhet bërë analizë e thellë e gjendjes këtu dhe e strukturave të shtëpive, pasi siç e pashë kjo shtëpi e kishte strukturën e dobët, dhe një gurë ndoshta më i lehtë se ai mund të krijojë tragjedi.
Dihet që kjo është një zonë e rrezikshme tashmë, janë bërë disa ndërtime të pakontrolluara ndër vite dhe kanë pasojë të këtij lloji.
Kjo zonë në përgjithësi është në rrezik dhe herë pas herë dhe aksi i rrugës Lezhë-Shëngjin ka shfaqur simptoma të tilla.
Fatkeqësisht nuk është marrë asnjë masë deri më sot, përveç rrugës që vjen për Shëngjin. Por këtu ka dendësi popullate."

