Regjistrimet në shkolla në e-Albania, Qiraxhi: Mungoi konsultimi dhe informacioni, një pjesë e nxënësve nuk arritën të regjistrohen
Regjistrimi i nxënësve në klasë të parë u bë nëpërmjet portalit online e-Albania.
I ftuar në studion e RTV Ora, Migen Qiraxhi nga Qëndresa qytetare u shpreh se kjo lloj mënyre regjistrimi hasi në problematika për shkak të mungesës së informimin dhe konsultimit me prindërit. Në fazën e parë janë regjistruar 60% e nxënësve, ndërkohë që ministria ka njoftuar edhe fillimin e një faze të dytë.
Qiraxhi: "Për herë të parë në këto vite tranzicioni ne kemi parë që praktika se si regjistrohen klasat e para dhe klasat e 10-ta i janë nënshtruar një procedure të re. Për mungesë të konsultimit dhe informimit të prindërve hasim në problematika, ku faza e parë e regjistrimit rezultoi me një shifër 60% të regjistruar nga ajo që ishte pritshmëria. Ajo që ishte problematikë tjetër ishte që u zgjodh një kampion shumë i madh. Ne jemi në një situatë ku ka një njoftim të dytë të ministrisë së Arsimit që tashmë regjistrimi do të bëhet sërish online. Pasi mbaroi faza e parë ata shprehën se patën një "sukses" sepse ne e kuptojmë që po flasim për defekte që solli kjo formë. "
Qiraxhi u shpreh se çështjet e arsimit janë lënë pas dore dhe nuk kanë pasur prioritet.
Qiraxhi: "Çështjet e arsimit janë lënë pas dore, nuk kanë qenë prioritet. Zyrtarët të cilët duhet të punojnë me seriozitetin më të madh nuk e kanë kuptuar që arsimi është çështje misioni. Ata duhet të jenë misionarë më së pari. Ajo që është interesante në fazën e dytë të regjistrimit është që ministria ka thënë që herën e parë nuk kishte mundësi të zgjidhje një shkollë jashtë zonës territoriale ku banoje, me hapjen e dytë duke kuptuar që kjo ishte arsyeja që prindërit nuk po i regjistronin fëmijët, kanë thënë që mund të pretendoni një shkollë që është larg."
Intervistoi Xhoi Malësia, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku

