Raporti i PISA, Nora Malaj: Po përjetojmë një depresion të fortë social dhe kjo është përgjegjësi kombëtare

Gjatë 4 viteve pas rezultateve të programit PISA 2018, aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në Shqipëri për lëndën e matematikës, leximit dhe shkencës janë përkeqësuar, sipas rezultateve të “PISA 2022” të vendeve të OECD.

Nga rezultatet e Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2022” Shqipëria është renditur në vendin e 62, ndër 80 vendet që kanë marrë pjesë në testim. Në rezultatet e testimit për programin PISA 2018, Shqipëria u pozicionua në vendin e 61.

Për ish-zëvendësministren e Arsimit Nora Malaj, e cila ishte e ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", renditja në fund të listës na tregoi se ne jemi kthyer shumë kohë mbrapa dhe që sipas saj, është një dhimbje shumë e madhe.

“Raportet botërore raportojnë se ne si shqiptarë jemi nga popujt më pak të lumtur, jemi nga popujt që kemi vëmendje.

Jemi në fund të listës dhe këtë na e tregoi edhe Raporti i PISA-s që na tregoi se ne jemi kthyer shumë kohë mbrapa dhe që është një dhimbje shumë e madhe. Që në fakt përtej përgjegjësive të gjithsecilit është përgjegjësi kombëtare dhe është një frymë kombëtare.

Dhe është ajo që unë e kam thënë që në krye të herës, që në fillim të 2023-it, që ne po përjetojmë një depresion të fortë social, i cili shfaqet në të gjithë qasjet tona, ku familja ka lëvizur atë që quhet bazamentet e saj; ku shoqëria ka humbur identitetin, sepse po ndodh shpopullimi i vendit e ku të gjithë kanë tendencën për të ikur. Ku në 2030 kam thënë që do të kemi krizë jo vetëm të mësuesve, por edhe të profesioneve.

Do të kemi krizë edhe të qytetarëve, sepse do të prevalojë dhe do të rritet më shumë mosha mbi mesataren dhe për pasojë do të ulet mosha e re, e cila është mosha aktive dhe do të shikojmë që do të na shpërfaqen dhe do të na prishen ato që ne i quajmë ekuilibrat.

Kjo mendoj se ka qenë fillimi dhe fundi i vitit 2023, duke na rritur edhe çmimet e ushqimeve të shportës, aq sa na është bërë gjeli si ati të përrallave “Gjeli i Artë”, që na duket si “mollë e ndaluese”, dhe kjo situatë kërkon rregullim”, u shpreh në analizën e saj ish-zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj.

lili saraçi nora malaj pisa

EMISIONET