Politika shqiptare uron Kosovën për 14-vjetorin e pavarësisë

Kryeministri Rama ka uruar i pari Kosovën me një video të rrugëtimit të vendit deri në finalizimin e Pavarësisë, të cilën e shpërndau në Facebook me mesazhin gëzuar shqiptarëve ditën e bekuar të Pavarësisë.
"Mirëmëngjes. Urime të gjithë shqiptarëve ditën e bekuar të pavarësisë së Kosovë" shkruan Rama në facebook.
Më pas presidenti Meta, po në Facebook shkroi: mirënjohje përjetë Heronjve, Dëshmorëve, luftëtarëve dhe etërve të Pavarësisë së Kosovës, krahas së cilës postoi edhe foton e Adem Jasharit dhe ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Edhe krerët e partive më të mëdha opozitare, Basha e Kryemadhi uruan Pavarësinë e Kosovës.
Basha në urimin e tij tha se ishte krenar për punën e deritanishme të vendit.
Ndërsa Kryemadhi tha se 17 shkurti është një ditë gëzimi për mbarë kombin shqiptar.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Sot 117 shtete e njohin Kosovën ndërkaq Serbia vazhdon me diskursin e saj të mosnjohjes së pavarësisë dhe e konsideron Kosovën si "pjesë të territorit të saj.


