"Rama u strehon afganët, amerikanët i dobësojnë opozitën", Burimi: Afganistani, skandal i ShBA-ve, shqiptarët s'kanë asnjë borxh

Pranimi i qindra shtetasve afganë nga Shqipëria nuk vjen si detyrim i vendit tonë ndaj NATO-s por një iniciativë personale e kryeministrit Edi Rama për përfitime të tij personale.

Këtë mendim ndan analisti Genc Burimi në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Besmira Pelushaj pak orë para mbërritjes së grupit të parë në Rinas.

Për të mbështetur këtë tezë, ai sjell rastin e Malit të Zi dhe Greqisë, të cilat deri më tani nuk janë deklaruar si vende pritëse.

Burimi: Nuk është se jemi të detyruar sepse edhe Greqia dhe Mali i Zi, dy vende fqinje që na rrethojnë nuk e ndjejnë këtë detyrim. Kjo është në vazhdën e sjelljes politike të Edi Ramës ndaj ShBA-ve që gjithmonë merr iniciativën me kokën e tij për ti bërë shërbim ShBA në mënyrë që edhe ai të ketë përfitimin e tij politik në aspektin personal por nuk ka lidhje me detyrimin fare që mund të ketë Shqipëria, as moral, as juridik, as të Aleancës. Ka shumë vende sot të NATO-s që nuk flasin fare sot për të marrë refugjatë afganë. Vende si Franca që kanë detyrimin sot po mjaftohen të marrin disa dhjetëra afganë që kanë punuar për Francën ndërsa Shqipëria po merr qindra afganë. Është thjesht një iniciativë personale e Edi Ramës për tu treguar i mirë ndaj amerikanëve ashtu siç bëri në 2013 sapo erdhi në pushtet me armët kimike pa u marrë aspak mendimin shqiptarëve.

Po ku konsiston përfitimi real i shefit të qeverisë shqiptare?

Burimi: Amerikanët ja kthejnë shërbimin. Sot amerikanët po e ndihmojnë Ramën duke i dobësuar opozitën. Kush më mirë se amerikanët mund ta kishin bërë atë që i bënë Sali Berishës apo PD? Është shkëmbim shërbimesh. Jo vetëm në Shqipëri, kudo amerikanët e bëjnë një gjë të tillë, "më ndihmo, të të ndihmoj". Është fare e thjeshtë. Por ajo që është pak shqetësuese është mënyra si Edi Rama ja shet këtë gjë opinionin shqiptar, si "Besa", morali etj.

Prej kur lajmi për ardhjen e afganëve në vendin tonë u publikua nga Reuters është luajtur shumë me faktin se shqiptarët më shumë se kushdo tjetër duhet të jenë solidarë për vetë historinë e tyre si popull migrator.Por nuk mendon kështu Genc Burimi.

"Rama u strehon afganët, amerikanët i dobësojnë

Burimi: Kur ne shqiptarët u larguam në '90-ën patëm guximin të ngriheshim vetë kundër regjimit komunist, kam qenë vetë militantë, kam bërë grevën e urisë, dhe asnjë nuk ka ardhur në ndihmë as ShBA, as Perëndimi. ShBA kanë 20 vjet që kanë derdhur 1000 miliard dollarë në Afganistan, skandali sot në Afganistan është skandal i ShBA-ve, ata të mbajnë përgjegjësinë. Sot ShBA kanë bërë një gafë, fjalimi i mbrëmshëm i Biden ishte një turp që e çkredibilizoi ShBA në gjithë botën, duke deklaruar se nuk shkuan për të çliruar një komb, një demokraci, por për interesat e tyre që të luftojnë terrorizmin.Shqiptarët nuk i kanë asnjë borxh askujt.

Për Burimin i gjithë procesi është konfuz dhe ka mungesë të plotë transparence.

Burimi: Mungon transparenca. Sot Rama ka detyrim kushtetues ti thotë parlamentit, popullit, çfarë do të bëhet. Me çfarë statusi po vijnë? Nëse vijnë si refugjatë nuk lëvizin më nga Shqipëria. Duhen shifra konkrete, sa vijnë, për sa kohë dhe çfarë garancish po merr nga ShBA.  Në Shqipëri ka një lloj frike ndaj ShBA-ve, është një atmosferë mbytëse.

EMISIONET