"Rama ta shpallë nul", ish-deputetja e LDK: Ballkanin e Hapur nuk e pranojmë as në këmbim të njohjes së Kosovës nga Serbia
Kosova e kishte përfaqësuesen e saj në protestën kundër Ballkanit të Hapur në Tiranë, e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Ish-deputetja e LDK, dhe një nga njerëzit më të afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova, Melihate Termkolli, deklaroi hapur qëndrimin e saj kundër kësaj nisme.
Ajo tha se Kosova nuk do ta pranojë kurrë këtë nismë edhe nëse Serbia e njeh Kosovën.
"Kjo është një protestë madhështore kundër një plani djallëzor Rama-Vuçiç për Ballkanin e Hapur, një thikë pas shpine ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Do ta kundërshtojmë me gjithë fuqinë tonë në vazhdimësi këtë pakt për Ballkanin e Hapur, atë që do të thotë një Jugosllavi e re, është përpjekja e fundit e Vuçiç. Por kjo nuk do të ndodhë. Është kalaja Kosovë dhe janë shqiptarët në Shqipëri dhe kudo. Vuçiç është ndër kritikuesit më të mëdhenj të Millosheviçit që nuk e mbaroi punën, nuk i shfarosi të gjithë shqiptarëve. I kam dëgjuar disa sorosinë të ri që kanë deklaruar se nëse Serbia e njeh e Kosovën do të pranojmë Ballkanin e Hapur.Kurrë dhe asnjëherë! Edhe po ta njohë Kosovën nuk do ta pranojmë Ballkanin e Hapur".
Ajo e këshilloi kryeministrin Rama që në dy ditët e samitit të shpall nul këtë nismë.
"Edi Rama bën mirë që sot dhe nesër të bëjë vetëm një veprim, të shpallë nul këtë pakt, nuk e duron Kosova, nuk e durojnë shqiptarët. Ne shqiptarët kemi vetëm një pakt dhe një lidhje, atë me SHBA dhe Europën, me Perëndimin. Të gjithë ata politikanë dhe drejtues që janë kombëtarë nuk ka si mos të jenë pro-amerikan. Nuk ka shans të shtiren si pro-amerikan ata që ngrihen kundër kombit dhe popullit të vet. Amerika është me shqiptarët, popullin shqiptar, ndërsa shqiptarët janë me Sali Berishën. Shqiptaria ka dy liderë dhe prijës historik, presidentin Rugova dhe të madhin Sali Berisha.Sa herë që cënohet kombi ynë do të jemi bashkë, gjithmonë do jemi bashkë".


