Rama: Shkarkimi i Metës duhet votuar në bllok, do konsultohemi me PD për zëvendësuesin
"Ilir Meta do të shkarkohet nga detyra si një personifikim i antishtetit. I ndëshkuar nga populli shqiptar në 25 prill. Një personazh grotesk."
Në takimin e parë me deputetët e votuar në 25 prill Kryeministri Edi Rama nuk ka komentuar ankimimin e PD-së për pavlefshmëri në 9 qarqe. Por ai theksoi se me Parlamentin aktual do të votohet shkarkimi i Presidentit, ndërsa për vendimin përfundimtar do të pritet Gjykata Kushtetuese. Megjithatë kreu i qeverisë shprehet i bindur për shkarkimin dhe për emrin e ri kërkoi negociata me PD.
"Shkarkimi i Ilir Metës nuk është i gjithi në dorën tonë, këtë e dimë. Por do të bëjmë gjithçka kemi në dorë për ta çminuar institucionin e Presidentit të Republikës duke votuar në bllok për shkarkimin. Është shumë herët për të folur për zëvendësimin dhe për zëvendësuesin e tij, por në çdo rast, qoftë para kohe, qoftë në kohë në varësi se si do të shkojë ky proces ne do të konsultohemi me Partinë Demokratike për emrin e Presidentit të ri," u shpreh Rama.
Pavarësisht se vlerësoi marrjen e mandatit të tretë, Rama shigjeton emrat e PS që thyen listën duke theksuar se synimi ishte marrja e mandateve në nivel qarku.
"Për mua siç e kamë thënë dhe përpara ndeshjes nuk ka asnjë rëndësi votat individuale që gjithë secili ka marrë. Gjynah që nuk kemi mundur ta maksimizojmë rezultatin final me plus katër mandate. Dhe nga ana tjetër kush nuk ja ka zbardhur faqen kësaj shumice në nivelet ekzekutive në territor, duhet gjithashtu t'ia lejë vendin dikujt tjetër."
Në fjalën e tij Rama bëri të ditur se në datën 12 qershor do të thërritet në kongres I jashtëzakonshëm I socialistëve me mesazhin vizioni Shqipëria 2030. Teksa shton se gjithçka do të organizohet nga një komision I posaçme.
"Koha, energjitë, forca e mendimit dhe vendimi tone duhen të jetë të tëra në dispozicion të vizonit Shqipëria 2030 dhe natyrisht nuk do të presim Partinë Demokratike deri kur të rivendos lidhjen me realitetin."


