Rama paralajmëron Ujësjellësat: Nuk paguajmë energji për ju! Stop punësimeve me krushqi në ndërmarrje
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi shoqëritë e reja të Ujsjellësave se nuk do të tolerohet më nga ana e tyre mospagimi i energjisë elektrike.
"Paralele me borxhet e ujit janë borxhet që Ujësjellësat krijojnë me OSHEE. Ka llogari Shqipëria që çdo vit ti fusë plus 25 mln dollarë borxh OSHEE? OSHEE duhet të funksionojë si ndërmarrje jo si institucion bamirësie për të mbuluar me ujë nevoja për të cilat pushteti vendor nuk e çan kokën.
Në kushtet kur qeveria vijon të këmbëngulë që nuk do të rrisë faturat e familjarëve e biznesit të vogël, ju doni ti faturoni arkës së shtetit jo vetëm koston e rritur por dhe më shumë se gjysmën e të gjithë energjisë që harxhoni. Doni të mos paguani më shumë se gjysmën e energjisë. Por nuk do të ndodhë më. Sepse kjo kushton sa qimet e kokës dhe përtej çmimit problemi bëhet edhe më i madh se ka apo nuk ka. Pikë!"
Duke risjellë në vëmendje krizën me gazin, Rama tha se edhe pse Shqipëria se përdor për ngrohje nuk jemi ta paprekur nga efektet.
"Gjermania ka nxjerrë urdhra për ndalimin e ngrohjes nëpër shkolla, nuk ka ujë të ngrohtë nëpër shkolla. Të mbyllë Gjermania ujin e ngrohtë nëpër shkolla do të thotë të përgatitet për një valë të paimagjinueshme. Tani ne nuk na vjen ngrohja e shkollave nga tubat e gazit rus por influenca na godet dhe ne".
Shqetësimi tjetër që ngriti ishte shndërrimi i këtyre ndërmarrjeve në zyra punësimi për socialistët.
"Është të mos çash kokën kur thua po shtoj numrin e punojësve. Ne kemi 6 herë më shumë punonjës në Ujësjellësa më shumë se na duhen. 6 herë më shumë. Me llogari. Nga vijnë këta? Nga rrugët e krushqive. Nuk mund të bësh politikë sociale punësimi me ndërmarrje".
Rama tha se rezultatet e reformës së ujit do të mund ti shohin shqiptarët pas 30 vitesh.
"Mbani mend çfarë po u them. Kjo është një nga këto gjëra për të cilat historia do jetë falenderuese për PS, shqiptarët do shohin hajër pas 30 vjetësh. Kjo politikë kriminale duhet të marrë fund."
Rama u ankua se qeveria ka investuar për ujësjellës kanalizimet por nuk po merr mbrapsht rezultatin e merituar.
"Vijmë te një fakt që na bindi përfundimisht që nuk mund të prisnim më, që tregon çfarë bekimi ishte për këtë vend që ne morëm drejtimin e të gjitha bashkive, përjashto njërën.
Me këtë reformë vendoset gur themeli që do ti bëjë Shqipërisë në 30 vite që vijnë një shërbim të jashtëzakoshëm, do ta shpëtojë nga një kolaps i sigurt dhe turp botëror që të mos ishte më në gjendje të garantonte ujin e pijshëm dhe të futej në etje për shkak të shkatërrimit të burimeve dhe shkatërrimit financiar të ndërmarrjeve.
75% e ndërmarrjeve sot janë me një borxh të atillë që nuk ua lejon normalitetin ndërsa 25% janë të falimentuara, të vdekura të pakalluara që vetëm gërryejnë shtetin. Vjen një pikë e caktuar që mbyllet rubineti nga pamundësia.
Kemi bërë një volum investimesh për ujësjellësat dhe kanalizimet që është disa herë më i madh se gjithë investimet e bëra sëbashku në gjithë vitet përpara dhe prapë shohim se nuk marrim rezultatin e merituar dhe dëshiruara sepse kemi 52% të ndërmarrjeve që arkëtojnë më pak se 75% të faturave.
Cila furrë buke, dyqan qumështi, i del llogaria që kompania të shesë dhe nga shitjet të marrë 70% e poshtë të asaj që i takon, të dalë me humbje që janë humbje pas humbje. Sa kohë mund ta shtyjë?Kur përmendni këto akronimet e fondeve të qeverisë të ndryshme flisni për borxhe, janë borxhe dhe janë borxhe që i ka marrë qeveria për komunitetet.
Borxhet duhen larë, por huk janë vetëm ato, dhe detyrime të tjera. Është një sistem si rrjetë merimange që ka tkurrur hapësirën e manovrës dhe ka kthyer arkën e shtetit për këtë punën në një inspekt që po kapet peng nga rrjeta, këtë nuk mund ta lejojmë".

