Rama nuk pyt: Parku do bëhet siç themi ne! Bare e restorante në Butrint. Patjetër që do të ketë aktivitet fitimprurës
“Parku do të bëhet siç themi, ju vazhdoni të flisni, por parku do të bëhet siç themi ne, sepse ne e dimë se çfarë bëjmë” u shpreh Kryeministri Edi Rama sot në foltoren e Kuvendit ku doli për të mbrojtur pr/ligjin e menaxhimit të parkut kombëtar të Butrintit.
Rama tha se investimi është kërkuar nga qeveria dhe Fondacioni Amerikan ka pranuar të hyjë në këtë investim.
“Për atë që ju merrni e lexoni e nuk dini se prë çfarë flisni është punuar me ekspertë ndërkombëtarë që e dinë mirë këtë fushë. Qëllimi është që Butrinti të jetë park kombëtar që të vazhdojë të rrisë fuqinë e tij aktrative dhe të vijojë të zhvillohet në kërkimet dhe gërmimet dhe të vazhdojë të jetë hapësirë dijesh.Ne jemi shumë krenarë për atë marëveshje dhe jemi shumë falenderues Fondacionit Shqiptar Amerikan që ka marrë përsipër ta bëjë këtë investim që është kërkuar prej nesh. Për të gjitha këto jemi shumë krenarë ”
Rama pranoi se nga kjo marrëveshje Fondacioni Shqiptar Amerikan do të ketë fitim por se këto të ardhura do të shërbejnë për investimet po në Butrint.
“Ju nuk po akuzoni ministrin e Kulturës por se Fondacioni Shqiptar Amerikan, me qindra miliona dollarë që janë kontribut I një grupi njerëzish që jetojnë në SHBA, mbledhin fonde për Shqipërinë dhe nga pikëpamja ekonomike nuk kanë asnjë problem, na paskan hyrë në një marrëveshje sekrete me republikën e Shqipërisë për të hapur bare e restorante në Butrint.
Ju jeni autorët e kjoskave. Nuk ka rëndësi nëse disa nga ju nuk keni lindur në atë kohë, kjoskën e keni në kokë. Jeni futur në kope. Keni të gjithë moshën e të vdekurit që e dini për të gjallë. Nuk keni asnjë dallim.
Një nga shqetësimet e opozitës është pse nuk bëhet publike plani i biznesit, por për këtë Rama nuk dha asnjë përgjigje vetëm sulmoi opozitën duke e kërcënuar se nëse shkojnë pas Berishës "do të përfundojnë në greminë po të shkoni prapa të vdekurit që ju kujtoni se është gjallë”
Edi Rama: “ Patjetër që do të ketë aktivitet fitimprurës. Patjetër se nuk është mëkat, por fitimet do të përdoren për Butrintin dhe nuk janë fitime që merren e do shkohen në Amerikë. Se nuk do të jetë si parku Rinia.
Parku do të bëhet siç themi, ju vazhdoni të flisni, por parku do të bëhet siç themi ne, sepse ne e dimë se çfarë bëjmë. Ju nuk dini çfarë flisni. Partneri ynë është Fondacioni Shqiptaro amerikan. Nëse ju keni problem me ta ky është problem juaj, jo i joni. Bilanci i Fondacionit është i shkëlqyer në raport me kontributet e dhëna në Shqipëri. Nuk kërkon asgjë tjetër vetëm partneritetin. Ata investojnë ne investojmë sëbashku.”


