Rama: Kurseni, mos i lini dritat ndezur kot, e shtymë fashën 800 kWh që t’ju lehtësojmë

Nga Golemi i Kavajës, ku ka qenë për të dorëzuar çelësat e shtëpive të rindërtuara, kryeministri Edi Rama foli edhe për rritjen e çmimit ët energjisë.

Ai tha se qeveria është e vendosur ta mbajë të paprekur çmimin e faturës së energjisë për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël.

Ai bëri thirrje që të gjithë abonentët të kursejnë energji elektrike sa të munden dhe të mos i lënë dritat ndezur kot dhe fasha se 800 kWh u shty për të qetësuar abonentët.

Rama: Jemi të vendosur ta mbajmë të paprekur çmimin e faturës së energjisë për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël. Kjo ka rolin e vetë në frenimin e inflacionit, të cilin e kemi më të ulët në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Kjo kërkon vetëdije, çmimi që ka familja apo biznesi I vogël në fund të muajit nuk është çmimi real. Diferencën mes çmimit në faturë dhe atij real do ta mbulojë qeveria me qëllimin që çmimi të mos rritet, por edhe kufizime të mos ketë. Janë dy anë të një rrugë shumë delikate. Ajo që kërkoj nga të gjithë është të kursejmë energjinë sa të mundeni, të mos lëmë dritat ndezur kot.

Nëse patëm mundësinë ta shtyjmë aplikimin e fashës 800kWh për t’i lehtësuar të gjithë psikologjikisht, kjo erdhi si rezultat i faktit se nevoja për energji u bë më e vogël se parashikimi. Qoftë kjo për shkak të kursimit apo të reshjeve. Por tetori nuk është muaji më sfidues, pas tij vijnë nëntori e dhjetori me të ftohtin. Ne duam që fasha të jetë një eksperiencë që përfundon me dhjetorin. Të bëjmë të gjithë pjesën tonë. Nëse çdo abonent familjar dhe çdo biznes i vogël nuk shpenzon energjinë kot, ne jemi shumë të sigurt në këtë rrugë kaq delikate, sepse duam me patjetër të mos prekim çmimin apo t’i drejtohemi kufizimeve.

EMISIONET