"Rama kërkon të shfrytëzojë situatën e luftës", Berisha paralajmëron protesta nëse nuk merren masa kundër rritjes së çmimeve
"Edi Rama kërkon ta shfrytëzojë situatën e luftës para se t'i thotë shqiptarëve siç bënte me Covid "se do shihni kodra me kufoma" duhet para së gjithash të marrë masa."
Kështu u shpreh Sali Berisha në një konferencë për mediet në kushtet kur çmimet vazhdojnë të rriten në mënyrë të frikshme në Shqipëri.
Berisha: E konsideroj të papërgjegjshëm qëndrimin e Edi Ramës dhe të qeverisë ndaj kësaj krize. Jo vetëm se kërkon ta mbulojë duke mbjellë terror mbi qytetarët me hijet e luftës, duke i shfrytëzuar për të mbjellë terror te qytetarët. Por ai po bën zëdhënësin e kompanive të naftës, është lajmëtari i parë i rritjes së çmimeve dhe pastaj spekulantët vazhdojnë me fushë të hapur të vendosin tabelat siç duhet. Dje ai njoftoi për rritjen e çmimeve dhe pompat me shpejtësi i kaluan ato nga 200 në 230 dhe 260 e me radhë. Dënoj këtë akt të tij dhe kjo është unike në botë, kreu i qeverisë nuk bën zëdhënësin e kompanive të naftës në rast se ai nuk ka aksione të tij në këto kompani.
Berisha bëri dhe njëherë thirrje të merren masa të menjëhershme, përndryshe paralajmëroi se "opozita shqiptare do jetë në rrugë kundër spekulimit dhe bashkëpunimit të narkoqeverisë me spekulatorët e çmimeve në naftë dhe produkte të tjera."

