Rama: Investime cilësore në Malësi të Madhe, duke ruajtur natyrën
Kryeministri Edi Rama u ndal sot në një nga agroturizmet në Gruemirë, Malësi e Madhe, nga ku theksoi se kjo zonë ka nevojë për investime të kujdesshme e cilësore, duke ruajtur atë që është forca tërheqëse e zonës, natyra, ushqimi, mikëpritja dhe cilësia e mirë e shërbimeve.
E mbështetur nga programet e qeverisë nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural, AZHBR përmes programit IPARD II, kjo sipërmarrje është një më të suksesshmet në vend.
“Zhvillimi i turizmit rural kërkon shtimin e sipërmarrjeve të tilla, me qëllim rritjen e aktivitetit ekonomik në këto zona, duke kontribuar në rritjen e punësimit dhe të ardhurave për ekonomitë familjare dhe jo vetëm”, theksoi Rama gjatë një takimi me përfaqësues të bizneseve në Malësinë e Madhe.
Rama ju rikthye thirrjes së tij për emigrantët për të ardhur dhe investuar kursimet e tyre në Shqipëri.
“Kjo familje i ka pasur të gjitha mundësitë të jetonte në Itali, por zgjodhi Shqipërinë të investojë kursimet. Është një zgjedhje sa atdhedashurie aq edhe e mençur në kuptimin ekonomik, sepse nëse sot agroturizmet janë investime të vështira, që kërkojnë guxim, nesër janë e ardhmja që këto të ardhura nuk mund të bësh në emigracion duke punuar për të tjerët. Ne këtu kemi mbështetur këtë projekt”, u shpreh Rama.
Kryeministri zbuloi edhe se ky agroturizëm do të shndërrohet në një kampus sportive.
“Ky është vetëm fillimi i këtij projekti, sepse Gëzimi ka idenë e një kampusi sportiv, për ta kthyer këtë zonë në një destinacion sportiv për skuadrat që kanë nevojë të përgatiten për sezonin e verës dhe të dimrit e që siguron të ardhura më shumë“, tha ai.
Rama tha se tashmë kjo zonë nuk numëron 2-3 dallëndyshe, por ka një gjeneratë të parë sipërmarrësish.
“Nuk mund të flasësh për 2-3 dallëndyshe por, një gjeneratë sipërmarrësish në Malësi të Madhe që kanë hedhur bazat”, vijoi Rama.
Sipas kryeministrit, ”Buni i Bajraktarit”, ishte një tjetër që kishte vizituar në këtë zonë së bashku me familjen e tij.

