Rama i post-Rilindjes harron 2 mandatet dhe kërcënon: Drejtësia do të shkaktojë tërmet!

Para parlamentit të ri me praninë e opozitës së përçarë e pa Sali Berishën dhe para gruas se tij Linda Rama në llozhë, kryeministri i dy mandateve qeverisëse paraqiti programin dhe përbërjen e kabinetit të tretë duke e nisur me rekordin e grave ministre.

Lulzim Bashës i vuri kushte bashkëpunimi dhe u zotua se nuk do të përsëritet më precedenti i marrëveshjes së 5 qershorit për zgjedhjet, në tokën amerikane.

"Asnjëherë dhe për një arsye unë dhe kjo shumicë qeverisëse nuk do të pranojmë asnjë lloj ndërmjetësuesi të huaj për të zgjidhur problemet, ngërçet, krizat e brendshme politike apo institucionale. Ato shkaktohen alla shqiptarçe nga ne e nga ju prandaj duhet të zgjidhen vetëm nga ne e ju. Jo duke folur anglisht por vetëm shqip." 

Pranoi zvarritjen e reformës në drejtësi e cila mbetet për Kryeministrin, siç tha vetë ai, një dritë e largët në fund të tunelit, por publikisht u zotua e nuk do të kursejë askënd dhe paralajmëroi aubuzuesit se nuk do të kenë me gjumë të qetë.

Duke ja lënë së shkuarës akuzat publike për korrupsion, trafik droge e afera tenderash, në këtë mandat Rama tha se do te rikthejë edhe praktikën e portalit transparenca.al, përmes të cilës do t’i jepet përgjigje pretendimeve të bazuara në fakte.

"Toka lëkundet nën këmbët e atyre që deri dje vrisnin e prisnin dhe e shikonin ligjin, shtetin, popullin nga lart poshtë duke përdorur prokuroritë si shampo dhe gjykatat si krehër për ti bërë karshillëk me flokët përpjetë dhe kokën edhe më përpjetë se flokët një popull i tërë".

Po ashtu dhe për zvarritjen e hapjes së negociatave peër në BE, fajësoi opozitën për atë që e quan hedhje balte në Bruksel, pa mohuar faktin që Rama mbron tezën se faji ishte i Unionit dhe jo i Qeverise shqiptare.

Fokusi i Kryeministrit mbetet "Open Balkan", ndaj dhe  përforcoi retorikën, duke i vendosur këtë herë kufij Albin Kurtit që nuk e pranon nismën.

“Ballkani i hapur nuk është lojë e Serbisë, dhe as konspiracon rus apo kinez për të ringjallur jugosllavinë. Nuk është asesi devijim nga rruga e anëtarësimit në BE apo nga kornizat e procesit të Berlinit.

Të gjitha këto janë përralla me gogol për të treguar pranë zjarrit digital në një luftë nga kolltuku e nga face book me një armik të deridjeshëm të cilin Kosova e Shqipëria e kanë mundur përfundimisht si armik në luftën reale me bomba e pushkë, sot e 20 e kusur vite përpara falë SHBA-së e UÇK-së”.

Kërkoi që presidenti Vuçiç të bindet me dialog për të pranuar krimet e luftës në Kosovë, por  nuk përmendi asnjë nevojë për ndryshimin e Kushtetutës serbe që njeh Kosovë e Metohi në territorin e saj.

Po ashtu kryeminsitri Rama tha se Serbia ka marrë tregun e Kosovës, por anashkaloi faktin se pse këtë treg nuk e ka marrë Shqipëria.

Në fjalimin e pjesës së programit për politikën e jashtme, Greqia dhe konflikti për kufirin detar në Hagë nuk figuroi.

Për mbrojtjen, kreu i qeverisë shqiptare foli për forcim të ushtrise, ndërsa për rendin, revolucion dixhital të monitorimit të territorit.

I gjithë programi politik i qeverisë se tretë i paraqitur nga Rama ishte pothuajse ai elektoral, i fokusuar te termeti e pandemia, rritja e pagave dhe jo e pensioneve.

Të moshuarit Rama i la  për në mesmandatin e qeverisë.

"Të gjithë gjysheve dhe gjyshërve si një plan i varur nga ecuria e përgjithshme e reformave dhe ekonomisë ne gjysmën e parë të këtij mandati të ri është në tryezën tonë".

Nuk përmendi në program politikat për frenimin e emigracionit, eksodin e të rinjve, të drejtat e shqiptarëve që jetojnë jashtë,  thellimin e hendekut ekonomik, politikat e strehimit apo shtresat në nevojë, por u tha shqiptarëve se këtë herë do të punoje 3 herë më shumë.

"Do të bëjmë çmos ta kthejmë në më të suksesshmin e një qeverie demokratike shqiptare jo deri më sot se kjo është e lehtë por për vite e vite të tjera më pas."

 

* Kronika u përgatit nga redaksia e lajmeve të Tv Ora

EMISIONET