Rama “fal” bregdetin e Drimadhës, i jepet një kompanie me 50 milionë lekë kapital
Për realizimin e projektit ‘Dreamades Luxury Suites’ një pjesë e bregdetit të Himarës do t’i jepet për shfrytëzim për 30 vite një kompanie private. Bëhet fjalë për sipërfaqen përballë kompleksit në Gjilekë, ku qeveria përmes një vendimi të posaçëm ia ka dhënë një kompanie të themeluar 8 muaj më parë me një kapital prej 50 milionë lekësh.
Një pjesë e bregdetit të Himarës do ti jepet nga shteti për shfrytëzim një kompanie private. Sipas vendimit të qeverisë bëhet fjalë për sipërfaqen përballë kompleksit në Gjilekë.
Në fakt nuk bëhet fjalë për një afat të shkurtër, por për plot 30 vite kur zona tejet e kërkuar dhe e frekuentuar i kalon një subjekti nën argumentin e investitorit strategjik.
Bëhet fjalë për një subjekt të quajtur ‘AGTTC Hotel Management shpk’, e cila rezulton se është në pronësi të shtetases Tawni Lin Grzych-Sutton nga Masaçuset.
Ky operator ka marrë statusin e investitorit strategjik nga qeveria për realizimin e projektit ‘Dreamades Luxury Suites’.
Por kush është kjo kompani? Nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, subjekti në pronësi të 32-vjeçares amerikane rezulton se është themeluar më 25 qershor të vitit që lamë pas me një kapital prej 50 milionë lekësh.
Në po të njëjtin vit dhe po me të njëjtën sasi parash rezulton se është regjistruar dhe një kompani tjetër e emërtuar Peninsula Development shpk me administrator Idlir Lopçin.
Ajo që i bashkon dy kompanitë është adresa. Kjo pasi referuar dokumenteve të QKB, të dyja kompanitë rezultojnë të regjistruara në të njëjtin dyqan në pallatin Kristi-Co, që gjendet në Rrugën“Dervish Bej Mitrovica”, në njësinë nr. 5.
Po ashtu Lopcci është dhe ish administrator i kompanisë së ish deputetit socialist Artan Gaçi.
Por nuk mbaron këtu. Një tjetër operator rezulton me të njëjtën adresë me këto dy kompani. Bëhet fjalë për operatorin ZHAK Niko Logistics në pronësi të Elvis Nelës, që është krijuar në janar të 2018.
Subjekti që ka marrë lejen për përdorimin e plazhit është regjistruar në QKB nga Iris Erebara, e cila rezulton se ka qenë administrator i kompanisë PENINSULA DEVELOPMENT deri në tetor të vitit të kaluar. Më pas i është kaluar në administrim Idlir Lopçit që ka qenë më parë administrator i kompanisë TGTTC.
Ky vendim vjen në një kohë kur nuk kemi ende një verdikt në lidhje me kompanitë që kanë fituar koncensionet e incineratorëve, të cilat rezultoi se ishin krijuar pak ditë para nënshkrimit të kontratave.


