"Qeverisja juaj bie nesër!" Debate për incineratorët, mazhoranca refuzon zgjatjen e afatit të Komisionit

Mazhoranca refuzoi zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor për incineratorët ndërsa opozita akuzoi socialistët se po pengojnë zbardhjen e aferës për të mbrojtur kryeministrin. Përfaqësuesit e PS nga ana tjetër aluduan se mbledhjet e Komisionit janë shtyrë për shkak të përplasjeve brenda PD, por të djathtët paralajmëruan se nuk tërhiqen nga hetimi edhe pse afati përfundon në datën 28 janar.

Mbledhja e radhës në Komisionin Hetimor për aferën e incineratorëve, u kthye në një arenë debatesh e akuzash mes opozitës dhe mazhorancës për pengimin e hetimeve mbi këtë çështje.

Mazhoranca votoi kundër planit të hetimit dhe kundër zgjatjes së afatit të punës së Komisionit, duke mos e marrë parasysh kërkesën e opozitës për të finalizuar hetimet.

"Ju mendoni se më intimidoni mua me situatën  në PD, përkundrazi na motivon akoma më shumë që siç kemi çuar para ligjit Lefter Kokën, nga Edi Rama tek i fundit."

Mazhoranca u mbrojt duke fajësuar opozitën për vonesat, konkretisht duke iu referuar çështjes së nxehtë të përplasjeve brenda Partisë Demokratike.

"Në çdo gjë ju penguan institucionet shtetërore, ju ngriti mur shteti! Po ju çfarë muresh i ngritët vetes?Ato muret që i ngritët dhe pastaj shkuat i prishët? Duhet të mendonim ne se çfarë ditësh binin gjatë tre mujorit, se binin ditë festash, ditë pushimi, ditë shkëputjesh, ditë protestash, referendumesh. Ne duhet ta mendonim këtë gjë?"

"E dimë të gjithë që dhjetorin deri në 18 e keni pasur shumë të zënë".

Pavarësisht këtyre deklaratave të përfaqësuesve të mazhorancës, opozitarët shprehën në mënyrë unanime se do të vijojnë denoncimin dhe hetimin e kësaj afere, edhe pse 28 janari është afati i fundit për funksionimin e komisionit.

"Ju jeni të kapur dhe e kuptoni fare mirë që nëse ky Komision ka të gjithë mbështetjen e institucioneve shqiptare për të bërë transparencë qeverisja juaj bie nesër."

"Pse na pengoni me procedura, me afate? Ne themi është bërë krimi, ju thoni nuk kemi kohë ta zbulojmë ne. Me kohë do mbuloni krimin, mbulohet krimi me kohë? Asnjë krim nuk është mbuluar në kohë."

Pas mbledhjes së radhës, kryerja e Komisionit Jorida Tabaku, tha se Partia Socialiste është e gjitha e përfshirë në aferën korruptive të incineratorëve dhe për këtë arsye po pengon hetimet, duke u bërë mburojë e kryeministrit Edi Rama.

EMISIONET