Qeveria nuk prek TVSH-në e ushqimeve, ministret: Nuk ndërhyjmë në çmime, nuk do të ketë mungesa në treg

Pak orë para protestës së të shtunës, qeveria njoftoi se përmes një bordi do të monitorojë çmimet e produkteve ushqimore me synim shmangien e abuzimeve.

Në një deklaratë për mediat Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj tha se nuk mund të ndërhyhet në përcaktimin e çmimeve por kompanitë kanë rënë dakord të ulin marzhin e fitimit.

“Qëllimi i bordit është përcaktimi i instrumentit që do kontrollojë çmimet dhe nuk do lejojë që të rriten në mënyrë jokonsistente me ato të importit. Nuk vendosim dot çmime arbitrare se jetojmë në ekonomi tregu.”  

Pavarësisht situatës jo të zakontë qeveria mbetet e vendosur për të mos ulur TVSH-në për produktet bazë të shportës ushqimore.

“Nuk do të ndërhymë në TVSH-në e produkteve të shportës. Sidomos në kohë krize është shumë e vështirë të ndërhysh në taksim.”

Sakaq Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca dha garancinë se nuk do të ketë mungesë produktesh në treg.

“Për sa i përket grurit dhe drithit parashikimet janë shumë optimiste për këtë vit për të ndenjur në përputhje me nevojat që ky vit ka për sa i përket konsumit.”

Pasi karburantet dhe produktet e shportës ushqimore arritën çmime rekord qeveria ngriti dy borde për të monitoruar tregjet.

Por për qytetarët kjo masë nuk mjafton.

Të shtunën është lajmëruar një tjetër protestë kombëtare përmes së cilës kërkohet ulje e mëtejshme e çmimeve dhe mbështetje financiare për shtresat në nevojë.

EMISIONET