Qeveria miraton marrëveshjen, 1.2 milion euro për bashkëpunimin ndërkufitar Shqipëri-Kosovë
Qeveria shqiptare miratoi sot marrëveshjen për programin e mbështetjes ndërkufitare mes Shqipërisë, Kosovës dhe Komisionit Europian, e cila përcakton alokimin e fondeve për vitin 2020.
Në një prononcim për mediet, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u shpreh se "marrëveshja financiare kap vlerën e 1 milionë euro grant i BE-së përmes IPA 2, ndërkohë me bashkëfinancimin e dy vendeve tona, Shqipërisë e Kosovës, kap vlerën 1.2 milionë euro”.
“Fondi synon t’i vijë në ndihmë zhvillimit social ekonomik të zonave ndërkufitare me Kosovën. Bëhet fjalë për të gjitha bashkitë e qarqeve Lezhë dhe Kukës, të cilat nëpërmjet projekteve dhe ndërhyrjeve të përbashkëta do të përfitojnë me programe dhe projekte në fushën e mjedisit, turizmit, trashëgimisë kulturore, rinisë dhe arsimit”, tha Xhaçka.
Sipas saj, kjo marrëveshje do të nxisë bashkëpunimin mes dy vendeve tona, duke sjellë përfitime konkrete për të gjitha këto bashki dhe komunitete që jetojnë në to.
“Patjetër që puna për Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme do të fokusohet në mbështetjen e gjithë përfituesve shqiptarë, duke i mbështetur e asistuar ata në hartimin dhe zbatimin sa më të suksesshëm të këtyre projekteve”, tha Xhaçka.


