Qendra e Vizitorëve në Përmet dritare e re drejt Parkut Kombëtar të Vjosës

Qendra e Vizitorëve në Përmet po merr formë ditë pas dite si një dritare e re drejt Parkut Kombëtar të Vjosës.
Ky projekt rijetëson edhe një simbol natyror dhe kulturor siç është Guri i Qytetit, duke e kthyer në një muze që bashkon historinë me natyrën, ku çdo vizitor do të mund të mësojë, të eksplorojë dhe të frymëzohet.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj dhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi, inspektuan sot nga afër punimet që po kryhen për këtë qendër.
“Vjosa është një lumë që nuk kalon vetëm në zona natyrore, por ka edhe 7 qytete që përshkon. Një nga muzetë dhe qendrat që ne po e bëjmë në zonë urbane po e gërsheton shumë bukur me dy elementët e tjerë të projektit që janë në zona më shumë rurale”, theksoi Jaupaj.
Ministri Jaupaj kërkoi që të gjithë elementet natyrorë dhe kulturorë të qytetit të përfshihen në muzealizimin që i bëhet kësaj qendre. Më tej, Jaupaj e vuri theksin tek orët mjedisore që zhvillohen në shkolla, që synojnë kultivimin e dashurisë për mjedisin.
“Zonat e mbrojtura janë ato orë mjedisore që fëmijët dhe të rinjtë pëlqejnë më shumë dhe është një aset që duhet ruajtur dhe duhet shtuar. Sa më afër me natyrën, një prezantimin i gjithë elementëve natyrorë të Shqipërisë, në mënyrë që mjedisin ta konsiderojmë si një vlerë qytetare”, tha Jaupaj.
Ai shtoi se “shkolla është afër, besoj se edhe zyra e Vjosës me pjesën e ekipit që do të këtë në zonën e Përmetit do angazhohet edhe më tej në edukimin mjedisor”.
Përmeti, i vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të lumit Vjosë ofron për vizitorët bukuri të shumta natyrore dhe monumente kulturore e historike. Çdo vit Përmeti tërheq një numër të lartë turistësh vendas e të huaj, pasi kombinon ecjen në kanion, lundrimin e lumit me gomone apo kajak, alpinizmin, si dhe vizitat në pikat turistike të tij.

