“Pyjet e Drilonit” në duart e ndërtuesit Fatmir Bektashi, do të ndërtojë kompleks pallatesh

“Pyjet e Drilonit” në duart e ndërtuesit Fatmir Bektashi,

Në zonën turistike të Drilonit, aty ku liqeni ka qenë gjithmonë kufiri natyror i çdo ndërhyrjeje ndërtimore, Fatmir Bektashi ka nisur ndërtimin e një kompleksi me pallate shumëkatëshe, duke e paraqitur si një projekt të miratuar me emrin e bukur mashtrues “Pyjet e Drilonit”.

Një banner gjigant me pamje 3D dhe thirrje për blerje apartamentesh është vendosur mbi tokën e rrafshuar të parkut natyror. Dhe shitjet kanë nisur: kaparët mblidhen, leje nuk ka akoma.

Sipas një deklarate zyrtare të Këshillit Kombëtar të Territorit, kompania "Kontakt sh.p.k", që menaxhon projektin, nuk ka marrë leje ndërtimi. Aplikimi është depozituar më 8 shkurt 2025, por procedura nuk ka përfunduar. Në përkthim të drejtpërdrejtë: ndërtimi është ilegal.

Megjithatë, ndërtuesi e ka bërë fakt të kryer. Ka rrafshuar një sipërfaqe të gjelbër publike dhe po shet apartamente që nuk ekzistojnë as në dokumente, as në realitet.

Por ajo që trondit më shumë është heshtja totale e institucioneve shtetërore. Bashkia e Pogradecit, Inspektorati i Territorit, Policia e Shtetit dhe Prokuroria, madje edhe vetë SPAK, nuk kanë lëvizur asnjë gur. Nuk ka as ndërprerje punimesh, as kallëzim penal, as hetim administrativ. Askush nuk ndërhyn, sikur ndërtimi ndodhet në ndonjë galaktikë tjetër.

Ndërkohë, banorët që riparojnë një çati apo shtojnë një dritare pa leje ndëshkohen me gjoba dhe burg. Por ndërtuesi që shet pallate në ajër, në zonë të mbrojtur, nuk shqetësohet nga askush.

Fatmir Bektashi nuk është rast i veçuar. Ai është i njohur për projekte të tjera të ngjashme, të ndërtuara pa leje dhe përtej parametrave të miratuar, në periferi të Tiranës. Por në Drilon, ai ka marrë edhe një dhuratë shtesë nga qeveria: një shëtitore publike, e ndërtuar përballë pallateve të tij pa leje.

Projekti “Transformimi urban i shëtitores Tushemisht dhe segmentit rrugor Tushemisht-Dogana-Shën Naum” ka marrë financim prej 2.7 milionë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Dhe mes nyjeve të reja të aksesit rrugor është shtuar edhe një lidhje direkte me kompleksin pa leje të “Pyjeve të Drilonit”./Marrë me shkurtime nga Pamfleti

EMISIONET