PS, Kongres brenda dhe jashtë, Rama zbulon çfarë do ndodhë të shtunën: Fitojmë vetëm nëse jemi opozitë e vetëvetes

Pandemia, kriza energjetike dhe ndryshimi i teknologjisë ka ndikuar dhe në zhvillimet politike.

Asambleja e socialistëve e ka zhvilluar online mbledhjen për përgatitjen e Kongresit të PS në 9 prill.

Në fjalën e tij kreu i selisë rozë theksoi se Kongresi do të shënojë hapje të re.

Takimi i socialistëve do të ndahet në disa panele, si situata në Ukrainë, energjetika, shëndetësia apo kushtet sociale.

Por Rama theksoi se për të marrë një tjetër mandate PS duhet ti bëjë opozitë vetes.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, nënvizoi rrezikun nga mandati i tretë, ndaj kërkoi inovacion në seli.

Asambleja miratoi ndërprerjen e mandateve për kryetarët dhe ndryshimin e statutit.

Angazhimi i të rinjve ishte një tjetër temë në Asamblenë Socialiste, e cila zhvillohet në prag të përgatitjeve për zgjedhjet vendore.

Në përfundim të Asamblesë rama e konsideroi nul opozitën, teksa theksoi dhe një herë procedurat për Presidentin.

Si Berisha, edhe Rama rrëzoi idenë e kandidaturës së Bashës si President.

Edi Rama: Pas pak ditësh do të mblidhemi në Kongresin e PS dhe nuk e pamë të udhës të angazhonim dy herë brenda 2-3 ditësh të gjithë ju për të bërë lëvizje dhe për të kaluar jë pjesë të madhe të kohës këtu në Tiranë. Ky Kongres do të jetë komplet ndryshe nga pikëpamja e organizimit pasi do të jetë një Kongres në pjesën e tij të parë i hapur për grupet e interesit, i hapur për faktorë dhe aktorë shoqërorë të ftuar apo që do të dëshirojnë të bashkohen në një numër panelesh të shtrira jashtë sallës së Kongreseve qoftë në pjesën para saj, qoftë në bulevard, sheshin "Nënë Tereza" apo Italia ku do ti kushtohemi disa temave që në diskutimet tona në kryesinë e partisë i kemi identifikuar si tema të një rëndësie të dorës së parë në perspektivën e mandatit të tretë duke filluar nga tema e politikës së jashtme "Shqipëria, rajoni dhe marrëdhëniet tona me Europën" te tema e energjisë, sëbashku me mjedisin dhe lëvizshmërinë, tema e shëndetit dhe mirëqënies shoqërore dhe tema e rinisë dhe inovacionit.

Panelet do moderohen nga anëtarë të Kryesisë së PS sëbashku me anëtarë të kabinetit qeveritar ku do jenë të ftuar të marrin pjesë në mënyrë aktive përveç deputetëve të PS dhe anëtarëve të Kongresit dhe të ftuar të tjerë sipas fushave.Pastaj do kalojmë në sesionin tjetër ku përveç fjalës time do të ketë fokus në disa drejtime të rëndësishme. Së pari këshillimi kombëtar rezultat e të cilit do publikohen nga qeveria nesër dhe sigurisht përbëjnë një arsye shumë të fortë për tu trajtuar dhe në instancat e kësaj partie që ka përgjegjësinë të qeverisë vendin. Çështja e angazhimit politik si një çështje jo thjesht e natyrës organizative por dhe si një çështje shumë e madhe sot e këndvështrimit shoqëror ndaj politikës, dhe këndvështrimit të politikës ndaj shoqërisë duke pasur parasysh domosdoshmërinë e një hapje të vazhdueshme të politikës për të tjerët dhe natyrisht për të rinjtë por jo vetëm të rinjtë në moshë por dhe forca të tjera të rëndësishme të shoqërisë dhe natyrisht sfidën e madhe të kësaj partie e cila ka fituar dhe mund dhe sipas meje do të vazhdojë të fitojë vetëm nëse do të jetë vazhdimisht edhe opozitë e vetëvetes. Do vazhdojë të ecë me ritmin e një vetëreformimi organik pa pritur që të tjerët ti vënë në pak nevojën për reformim.

Pastaj është pjesa që ka të bëjë me rolin e PS në procesin legjislativ, sfidat e procesit legjislativ dhe sfida më e madhe ende e pazgjidhur e një marrëdhënieje të re organike mes përfaqësuesve të zgjedhur nga njerëzit dhe zgjedhësve të tyre. Pastaj sesioni tjetër do të jetë sesioni organizativ ku Sekretari i Përgjithshm do të bëjë paraqitjen e të gjithë puëns së bërë nga Sekretariati. Të gjithë sekretarët do të raportojnë jo vetëm për çfarë kanë bërë por dhe për vizionin e tyre në lidhje me atë rol dhe objektivat e tyre për të realizuar atë vizion, një gjë që do të kërkojë në fund dhe miratimin e Kongresit. Me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm unë e konsideroj objektivisht të nevojshme që Kongresi të marrë në konsideratë zgjerimin e Sekretariatit me dy Sekretarë të tjerë dhe patjeër diskutimet e hapura do të lidhen edhe me funksionimin dhe këndvështrimin e punës së mëtejshme të Sekretariatit dhe me statutin e ri të PS. Kjo është pamja e përgjithshme e Kongresit. Në fund të Kongresit të gjithë organizatorët dhe drejtuesit e paneleve do të bëjnë për publikun një përmbledhje të punës së Kongresit për të gjithë temat më të mprehta dhe nga ana tjetër do të përcaktojnë dhe piketat të cilat më tej qeveria, grupi parlamentar, kryesia e partisë do të punojnë për të marrë përsipër pjesën e tyre të realizimit të këtyre angazhimeve.

Koha që mblidhet ky Kongres është një kohë shumë e jashtëzakonshme për shkak të kontekstit që na prek dhe ne siç ka prekur botën dhe Europën si rezultat i agresionit rus në Ukrainë. Siguria është kthyer vetëvetiu në prioritet themelor në të gjitha aspektet. Natyrisht e lidhur kjo e domosdoshmërinë e një mbështetje shoqërore për të gjithë ata që janë më vunerabël që duhet të ndjehet fort në vijim dhe domosdoshmërinë për të vazhduar në rrugën e zhvillimit. Mbi këto tre shtylla ne do të ngrejmë të gjithë punën tonë në vijim dhe Kongresi do të na shërbejë për ti adresuar si pika referimi te qytetarët tanë duke nënvizuar faktin se kjo është një kohë ku PS ka një përgjegjësi ekstra për të qenë forca që i bashkon të gjithë shqiptarët, jep siguri dhe që me vepra dhe argumenta të qenësishëm krijon kushtet që qytetarët pa dallim të jenë bashkë, jo për zgjedhjet por për rrugën deri kur pastaj do të duhet përsëri që populli të gjykojë dhe bëjë zgjedhjet e veta. Nuk është një bashkim që do të thotë një shkrirje e gjithë popullit në një parti por një bashkim që do të thotë përballje e një kohe të jashtëzakonshme me një rezistencë të jashtëzakonshme, thelbi i të cilës është bashkimi dhe jo ndarja. Bashkimi jo për të qenë të gjithë në një mendje dhe rënë dakord me të gjitha, por për të rënë dakord në radhë të parë për nevojën e jashtëakonshme që ka kjo kohë për të rezistuar dhe për të mos e lëshuar korsinë e zhvillimit të mëtejshëm.

Do t'ju kërkoja të gjithë deputetëve të PS atë që u kam kërkuar organizatorëve dhe drejtuesve të paneleve në mbledhjen e fundit të Kryesisë, por edhe kryetarëve të bashkive që do të marrin pjesë dhe të tjerëve, që të angazhohen aktivisht gjatë gjithë ditës së Kongresit qoftë në panelet sipas zonës së tyre të përfaqësimit, sipas pozicionit të tyre në gjithë rrjetin e organizimit parlamentar apo në pushtetin vendor dhe segmente të tjera të shoqërisë në mënyrë që Kongresi të mos jetë thjesht një paraqitje informuese e publikut dhe as një moment i marrjes me zë të lartë i disa angazhimeve nga ana e atyre që kanë përgjegjësi ekzekutive por Kongresi të ketë brenda edhe shpirtin kritik, vetëkritik, në mënyrë që debati të zhvillohet si një ndarje reale e shqetësimeve dhe me vetëdijen se askush nuk zotëron të vërtetën e fundme, por të gjithë sëbashku ndihmojmë njëri-tjetrin për të dalë te vendimet dhe bërë zgjedhjet më të arsyeshme.

EMISIONET