Pronat e Gentian Sharrës, sekuestrohet dhe vila luksoze "Enea" në Elbasan
Mes pasurive në vlerën e 5 mln eurove në emër të Gentian Sharrës dhe babait të tij Mustafa Sharrës është sekuestruar edhe vila “Enea” në lagjen Katund i ri të Elbasanit.
Bëhet fjalë për një vilë luksoze dy katëshe me pishinë dhe një sipërfaqe të gjerë me lulishte përreth.
Gentian Sharra, 48 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë, me aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, dyshohet për grabitjen e një sasie të madhe parash në Rinas, si dhe i arrestuar në kuadër të operacionit policor “Golden bullet” (Plumbi i artë)
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në kuadër të veprimeve hetimore, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin e datës 09 qershor 2022, ka caktuar masën e sigurimit pasuror “Sekuestro”, për pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të shtetasit Gentian Sharra dhe të babait të tij, shtetasit Mustafa Sharra.
Pronat e sekuestruara
-1 vilë luksoze në lagjen Katund i Ri, Elbasan, biznes fason dhe tokë arë;
-Truall dhe ndërtesë, me sipërfaqe 120 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronesi të Gentian Sharra;
-Tokë arë me sipërfaqe 15680 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 119.8 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të shtetasve Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra;
-Tokë arë me sipërfaqe 3533 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra;
-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 4170 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Gentian Sharra;
-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 4050 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra.
-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 3533 m2, truall me sipërfaqe 208.1 m2 dhe ndërtesë, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Gentian Sharra.
-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 394 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra.
Gjithashtu janë sekuestruar 4 automjete në pronësi të shtetasit Gentian Sharra dhe të familjareve të tij.


