Profesor Pilinçi rikthehet si në 1991: Duhet urgjent qeveri teknike me intelektualë

Profesori shqiptar-amerikan Pëllumb Pilinçi, i cili është kthyer në Shqipëri pas disa dekadash, shprehet se në vendin tonë duhet të bëhet një qeveri teknike në mënyrë që njerëzit të marrin demokraci reale.

Në një intervistë për RTV Ora, me gazetarin Sebastian Zonja, ai shprehet se duhet urgjent qeveri teknike me intelektualë

Pëllumb Pilinçi: Ne kemi ardhur këtu që të bëhet një qeveri teknike që njerëzit të marrin demokraci reale. Në Shqipëri është bërë korrupsion i paparë dhe qeveria teknike duhet urgjent me intelektualë. Deri më sot intelektualët kanë ngel në heshtje.

Më tej shprehet se SPAK dhe BKH është krijuar me fondet e Amerikës, ndërsa shton se këto të fundit nuk janë vënë në zbatim pasi ka korrupsion.

Pëllumb Pilinçi: Ne kemi bërë SPAK, kemi bërë BKH. Këto janë bërë me fondet e Amerikës. BKH dhe SPAK duhet të vihen në zbatim. Këtu nuk janë vënë në zbatim se janë të gjithë të korruptuar. 97% e shqiptarëve sot janë pa bukë, nënat janë veshur me të zezë, fëmijët kanë ikur. Pensionistët janë klasa me skllavërore që po e përdor politika sot.

Organizatat kryesore amerikane, mbajnë në këmbë fondin amerikan dhe demokracinë botërore. Unë kam vajtur në Amerikë në ’75 dhe familja ime është vrarë për çështjen e Amerikës. Në burgje kanë hyre 80%  vetëm se donin Amerikën.

Ai shprehet se në Shqipëri është ende sistemi komunist, ndërkohë ka treguar edhe kushtet që i kishin vendosur ish-Presidentit Ramiz Alia që në Shqipëri të mos ndodhte si në Rumani. Profesori u shpreh se Alia në bazë të zbatimit të kushtit kërkoi nënshtetësi amerikane, dhe mbrojtjen e fëmijëve të tij.

Pëllumb Pilinçi: Në Shqipëri është akoma sistemi komunist. Në '90 i kam dërguar letër Ramiz Alisë nëpërmjet Bushit, i kërkuam që në Shqipëri mos të ndodhte ajo që ndodhi në Rumani. Alia pranoi kushtet tona që Ambasadat të mos hiqeshin. Ne e përgatitim por ai na vendosi kushte, për nënshtetësi amerikane, për mbrojtjen e vajzës dhe të djalit të tij. Ne e bëmë këtë me kusht që asnjë shqiptar të mos vritet në Ambasadë.

Ai thotë se duhen bërë ndryshime në arsim, polici si dhe të rriten pensionet, ndërsa shprehet se Kryeministri Edi Rama dhe Lulzim Basha janë njësh, teksa shton se janë të korruptuar. 

Pëllumb Pilinçi: Ne kemi krijuar Parti që quhet ‘Shpresa Demokrate’ është krijuar nga intelektual. Qeveria mbahet në tre shtylla kryesore, policia, arsimi, pasi profesorët e mirë janë larguar, dhe rendi. Ne duam që pensionistët të kenë çdo muaj 500 dollarë. Duam që policia në çdo javë të ketë rrogën 1200 dollarë në mënyrë që policia mos të korruptohet. 

PD dhe PS është e njëjta. Në PD është Luli që ka ardhur nga rrugët e Hollandës me çorape të grisura dhe sot lahet me vaska floriri. Edi Rama ka ardhur nga bodrumet e Parisit. Këta janë të korruptuar. Janë miliona dollarë të bllokuara nëpër botë. 4 bilionë dollarë i keni në Shqipëri të fshehura. Vilat që ndodhen në bregdet u takojnë shqiptarëve. 

Përgatiti për online Anila Kolgjini. 

EMISIONET