Procesi "Qyno", GJKKO detyron SPAK-un t'ia kthejë edhe dokumentet e fundit gazetarit
Gjykata e Posaçme vendosi përveç kthimit të telefonave, kompjuterëve e pajisjeve të tjera, ti kthehen edhe dokumentet që iu sekuestruan gazetarit Elton Qyno.
Pas seancës së sotme në GJKKO, Qyno tha se këto ishin disa dokumente të siguruara nga burimet e tij.
Elton Qyno: Janë disa dokumente të një gjyqi në GJKKO. Deklarime te ndryshme të cilat u vendos që të më ktheheshin pasi ishin sekuestruar e pasi Gjykata e Lartë kishte vendosur kthimin kjo nuk kishte ndodhur.
SPAK këmbëngulte që ta mbante këtë provë duke mos ma kthyer mua si gazetar investigativ.
Duke marrë edhe shkak jo vetëm nga GJL por edhe GJK bashkë me avokatin i kërkuam SPAK që të na kthente këtë send prej 54 fletësh. Gjyqtari vendosi që ky send të na kthehej.
Avokati Dorian Matlija: Vendimi i sotëm ishte kapitulli i fundit pas asaj që ndodhi në GJK që vlerësoi procesin ndaj gazetarit si antikushtetues.