Procesi i dekomunistizimit, Shano: Rishfaqja e Enver Hoxhës është bërë më e shpeshtë me ardhjen në pushtet të Rilindjes

Deputeti socialist i qarkut të Fierit, Bujar Çela për festën e 109-vjetorit të Pavarësisë, uroi kolegët me një foto të diktatorit Enver Hoxha.

Në  foton e cila u postua nga nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj, Çela ka dërguar në grupin e Komisionit të Sigurisë fotomontazhin e flamurit kuqezi, ndërsa në një cep shihet se edhe portreti i diktatorit Hoxha.

Fotoja ngjalli polemika të shumta, por deputeti socialist Bujar Çela nuk ka asnjë pendesë për foto-urimin e dërguar dje në grupin e Whatsapp të komisionit parlamentar ku bën pjesë. Bujar Çela tha se Enver Hoxha nuk mund të quhet nul. 

Analisti Dritan Shano i ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Beti Njuma u shpreh se Çela duhet të mbanet përgjegjësi, por kjo nuk është një ngjarje e re sipas tij.

"Kjo ka filluar me artikulimin e frazës bashkëfajtor dhe bashkëvuajtës të cilën shqiptarët, idhtarë të Enverit e kuptuan si një leje për të rifutur Enver Hoxhën në jetën e tyre qysh herët."

Për analistin kjo frazë është artikuluar në momentet e para të futjes së demokracisë në Shqipëri.

Shano: Rishfaqja e Enver Hoxhës është bërë shumë e shpeshtë me ardhjen në pushtet të Rilindjes në vitin 2013.  

Partia Demokratike ka thënë se do të kërkojë dekomunistizimin. Analisti u shpreh se PD në këto 30 vite demokraci mund të kishte bërë dhe duhet të kishte bërë çdo hap të mundshëm që lidhet me një rivlerësim të një periudhe të gjatë ku shqiptari ishte armik për shqiptarin.

Shano: Paketa që përmendi zoti Alibeaj është një paketë shumë e vonuar, por boshti moral i shoqërisë shqiptare nuk ndërtohet dot me ligje, me vendimet e Këshillit të Ministrave e me radhë. Boshti moral fillon me pronën private dhe ajo që nuk ka bërë PD është çuarja e pronës private te dora që i takon. Këto janë gjëra të lidhura me njëra-tjetrën dhe në themel të një shoqërie është prona private. Nëse ti do të luftosh komunizmin në mendjet e shqiptarëve duhet ta fillosh nga prova private. Dhe PD këtu ka dështuar. PD nuk e ka filluar misionin e vet. Nëse Shqipëria përkujton sot Enverin, nuk është diçka që mund t'i ngarkohet socialistëve, por është një problem që kemi ne se nuk kemi kryer detyrën ndaj shqiptarëve dhe të shkuarës.

Por përse shoqëria shqiptare nuk e ka ende këtë bosht moral dhe 30 vite tranzicion nuk e kanë krijuar boshtin emancipues?

Për analistin kjo vjen sepse e vetmja dritare që shqiptarët kanë pasur dhe ku të gjithë ishin dakord se ajo që lamë pas nuk ishte e mirë dhe t'i drejtoheshim si një trup i vetëm së ardhmes, ka qenë periudha dhjetor '90  deri në marsin e '92.

Shano: Kjo ka qenë një periudhë që përkonte me një varfëri totale, të varfër ishin edhe viktima edhe spiuni që kishte marrë në qafë viktimën. Arsyeja kryesore që ne ishim gati të ndryshonim në atë kohë ishte se e kishim barkun e zbrazët, se kishim frikë mos vdisnim nga uria. Kjo ndjenjë na bëri të besonim se ajo që kishim bërë për 50 vjet nuk ishte e mirë. Në momentin kur filluan të mbusheshin dyqanet, kur ngadalë largohej frika nga uria dhe gatishmëria e shqiptarëve për të quajtur gabim ato që kishin bërë në të kaluarën filloi të zbehej.

Për analistin, në periudhën e komunizmit nuk ka pasur asgjë normale pasi ajo periudhë karakterizohet nga kalimi i Shqipërisë nga një nivel i rendit feudal në një nivel tjetër më të lartë  po të rendit feudal. Komunizmi në pikëpamje është feudalizëm.

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti Xhuljana Zhuleku

EMISIONET