Presidenti? Boçi: Rama do emërojë një person që i bindet, bashkimi i PD-së s'bëhet me shpikje platformash

Zgjedhja e Presidentit duket se do të vendoset në javën e katërt të majit dhe pa votat e opozitës. 

Partia Demokratike tashmë e ka bërë të ditur se nuk do të japë emër për Kreun e Shtetit duke deklaruar edhe një herë se mazhoranca nuk është e interesuar për konsensus.

PS ka kërkuar që raundi i parë i votimeve të mbahet më 4 maj. Ndërsa Kushtetuta përcakton se në tre procese duhen të paktën 84 vota.

Nëse kjo nuk arrihet atëherë Presidenti mund të zgjidhet me 71 mandate. Por deputeti demokrat Luçiano Boçi ka një tjetër paralajmërim.

"Opozita nuk ka interes të madh për çështjen e Presidentit. Rama ka kapur të gjitha pushtetet, i kishte mnbetur vetëm Presidenti. I ka ardhur momenti dhe nuk kam asnjë dyshim që do ta kapë përmes emërimit në atë post sepse zgjedhje nuk ka të një personi që i bindet atij. Do të jetë një person i emëruar nga Rama. Kështjella e fundit e një pushteti të pavarur bie në Shqipëri por nuk ndryshon asgjë, Shqipëria është një regjim, drejtohet nga një bandë e organizuar e cila ka dalë me duart në xhepat e shqiptarëve duke vjedhur me afera korruptive, megaskandale, për të cilat të jetë i bindur se një ditë ai dhe banda e tij do japin llogari."

Opozita ka një qëndrim për Presidentin, por për krizën brenda selisë blu vazhdojnë dy fraksione.

"Nuk arrihet bashkimi as me thirrje, as me emocione por as me shpikje platformash të veçanta pavarësisht se nga vijnë dhe si vijnë. Bashkimi realiziohet përmes proceseve zgjedhore. Platformat do të ekzistojnë pro janë të karakterit subjektiv, ndonjëherë kanë prapavija të tjera që lexohen nën rreshta dhe kanë mungesë sinqeriteti. Kam kërkuar dhe dje që këto platforma së pari duhet të marrin miratimin e Kryesisë së grupit para se të bëhen mediatike. Kam lexuar shumë platforma gjatë kësaj kohe dhe janë krejtësisht individuale  përderisa ne si deputetë të grupit parlamentar nuk kemi diskutuar ndonjërën prej tyre".

Jo pak zhurmë bëri deklarata e Edi Ramës nga Kongresi i PS, ku i bëri thirrje SPAK të arrestonte ish-kryeministrin Sali Berisha. Boçi pranon se edhe brenda PD është arritur të futen mbështetës të Ramës.

"Nuk habitem për deklaratën e Ramës, ai ka lobuar fort që të kemi një qëndrim të tillë. Ka lobuar dhe po lobon fort duke intimiduar madje dhe drejtësinë që ajo të bëjë hap të gabuar në drejtim të një hetimi në erë që nuk ka një objekt të caktuar por thjesht për të turbulluar paksa situatën dhe për të mbajtur gjallë konfliktin e PD. Ata që bëhen zëdhënës të Ramës dhe nuk e kuptojnë veprojnë si njerëz jopolitik dhe aspak nuk jam i gëzuar. Do kërkoja që qëndrimet tona të jenë të unifikuara, sidomos për raste të tilla."

EMISIONET