Presidenti Bajram Begaj nis vizitat me Kosovën, të hënën udhëton drejt Prishtinës
Presidenti Bajram Begaj në daljen e tij të parë publike ka vendosur ta bëjë në Kosovë, pasi do të zhvillojë edhe vizitën e tij të parë zyrtare si President i Republikës. Me ftesë të homologes kosovare Vjosa Osmani, Kreu i Shtetit shqiptar do të jetë në Prishtinë përgjatë dy ditëve për t’u takuar me drejtuesit e shtetit si dhe me përfaqësuesit e partive parlamentare.
Kreu i ri i Shtetit shqiptar Bajram Begaj ka zgjedhur Kosovën për të zhvilluar vizitën e tij të parë zyrtare pas marrjes së detyrës me 24 korrik. Të hënën Presidenti do të udhëtojë drejt Prishtinës për të takuar krerët e shtetit të Kosovës, e cila do të jetë edhe dalja e parë publike e Begajt.
Bajram Begaj do të pritet fillimisht nga homologia e tij, Vjosa Osmani, me të cilën pas takimit do të kenë edhe një konferencë për shtyp.
Më pas do të jetë kryeministri i Kosovës Albin Kurti ai që do ta presë Presidentin shqiptar në selinë e qeverisë.
Pas Kurtit, rreth mesditës Bajram Begaj së bashku me delegacionin që do ta shoqërojë do të zhvendoset në Kuvendin e Kosovës për të takuar kryeparlamentarin Glauk Konjufcën.
Në ditën e dytë të vizitës së tij, Kreu i Shtetit ka parashikuar në axhendë edhe takime me drejtuesit e partive parlamentare të Kosovës.
Gjatë ceremonisë si President i Republikës, Bajram Begaj gjatë fjalimit të tij nuk e përmendi Kosovën si prioritet i detyrës së tij 5 vjeçare, çka solli kritika të shumta ndaj qëndrimit të tij. Ndërkohë edhe në Shqipëri Begaj ka preferuar të mos mbajë asnjë qëndrim publik për çështje të cilat kanë shqetësuar qytetarët siç është rasti tragjik i 7 vjeçares në Himarë.
