Prapaskenë me telefonat e policëve/ Ministria e Brendshme e Policia planifikojnë kalimin tek “One”, shqetësim për sigurinë

Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme kanë nisur larg vëmendjes së publikut dhe në mungesë transparence përgatitjet për kalimin e 12 numrave të Policisë së Shtetit tek kompania One. Ky shërbim që ofrohet prej 14 vjetësh nga një brend ndërkombëtar i certifikuar si Vodafone, po i  kalohet një kompanie tjetër pa asnjë kriter financiar apo anomali teknike.

Në mungesë të plotë transparence dhe larg vëmendjes së publikut, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë kanë nisur javët e fundit planin për kalimin e 12 mijë numrave telefonikë të efektivave të rendit nga kompania Vodafone drejt kompanisë One Telecommunications.

Falë një kontrate kolektive që zbatohet që nga viti 2007, efektivat e policisë kanë përfituar tarifa më të reduktuara nga kompania Vodafone në krahasim me çmimet që aplikohen individualisht.

Por pavarësisht cilësisë së lartë të shërbimit dhe kostos së ulët mujore, e cila në fakt paguhet nga vetë efektivat, duket se institucionet eprore si Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë janë bërë pjesë e një plani që nuk dihet kujt i shërben.

Pyetja që shtrohet në rastin konkret është përse ky ndryshim tani, në këtë kohë, kur kontrata aktuale nuk ka pasur anomali teknike dhe as probleme të sigurisë?

Kush janë personazhet politikë që po lobojnë këtë ndryshim dhe cilat janë interesat e tyre?

Burime të Ora News thonë se Policia e Shtetit ka vendosur të ndryshojë shërbimin duke iu kërkuar rreth 12 mijë punonjësve të saj të transferojnë numrat në operatorin One, një kompani që ndryshoi pronësinë pak muaj më parë.

Pronari kryesor i One është shtetasi bullgar Spas Roussev, i cili dyshohet për lidhje me mafian bullgare, rrjete të tjera kriminale dhe i dyshuar kryesor për manipulimin e një ankandi në Mbretërinë e Bashkuar.

Edhe pse këto dyshime nuk janë të provuara, kalimi i telefonisë dhe komunikimeve të Policisë së Shtetit, përfshi aksesin në bazat e të dhënave kriminale tek një kompani si One, duket se krijon shqetësime serioze.

Gjatë përdorimit të rrjetit të Vodafone, i cili është një brend i njohur ndërkombëtar, Policia e Shtetit ka marrë shërbim të sigurt, pa rrjedhje informacioni apo sekretesh dhe pa probleme sigurie, të cilat në rastin konkret nuk janë më vetëm çështje të policisë por të interesit publik.

EMISIONET