Pranga të riut me drogë në aksin Kakavijë-Gjirokastër, mashtroi duke u prezantuar si efektiv i Forcave Komando
Një 29-vjeçar ka rënë në prangat e policisë për lëndë narkotike. E. K, banues në Tiranë u kap në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, në afërsi të fshatit Dervician, gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjetën doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, gati për shpërndarje.
Në momentin e ndalimit, shtetasi E. K. është prezantuar si efektiv i Forcave Komando Tiranë, por pas verifikimeve të kryera rezultoi se ky shtetas nuk është pjesë e këtyre Forcave.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda e dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 dokument identifikimi i Forcave Komando, 1 automjet dhe 1 aparat celular.
Materialet në ngarkim të shtetasit E. K. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale "Prodhim dhe shitje e narkotikëve" dhe "Përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore".



