Pozitiv me Covid, shqiptari del nga shtëpia për të shitur kokainë, spiunohet nga banorët dhe arrestohet

Karabinierët në La Spezia, Itali kanë arrestuar një shqiptar, të cilit ju sekuestrua sasi e konsiderueshme kokaine dhe para cash.
Operacioni i parë i shërbimit u përmbyll të shtunën, kur ushtarët e seksionit operacional, në një zonë në kufi me Vezzano Ligure, pas disa raportimeve të banorëve, surprizuan një 26-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili kishte shitur një pako kokainë.
Më pas, nga kontrolli në makinën e tij u gjet një sasi tjetër kokaine e fshehur poshtë sediljes dhe 500 euro cash.
Në kontrollin e mëpasshëm në shtëpi, u gjetën edhe 7400 euro të tjera cash, të cilat gjithashtu u sekuestruan pasi konsiderohen të ardhura nga aktivitetet e trafikut të drogës.
Por, përveç akuzave për trafik droge i arrestuari raportoi se disa ditë më parë kishte rezultuar pozitiv me Covid-19, nga i cili më vonë u konstatua se nuk ishte shëruar ende.
Aktualisht ai është lënë në arrest shtëpie në pritje të seancës së radhës.

