Porositën 350 euro rroba online, dhe ia mbathën kur e morën pakon, minorenët nga Mati përfundojnë në komisariat

Dy 16 vjeçarë janë proceduar në gjendje të lirë pasi kanë marrë rroba me vlerë 350 euro online, por ja kanë mbathur pa i paguar.
Pas njoftimit të marrë nga një shtetas (korrier i një subjekti postar privat), se 2 adoleshentë i kishin marrë një pako të porositur prej tyre online dhe ishin larguar me vrap për të mos kryer pagesën, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat kanë organizuar punën për identifikimin dhe shoqërimin e këtyre shtetasve.
"Si rezultat i veprimeve të shpejta procedurale, u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Mat, shtetasit E. K. dhe L. S., të dy të moshës 16 vjeç, për veprën penale "Vjedhja", kryer në bashkëpunim.
Për shkak të moshës, ndaj këtyre 2 shtetasve filloi procedimi në gjendje të lirë. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua pakoja me veshje, e porositur online," njoftoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
